Norma vjetore e inflacionit në Shqipëri arriti në 3.2% në Qershor 2026, nga 2.4% që ishte në qershorin e kaluar, duke shënuar nivelin më të lartë që nga janari i vitit 2024. Me këtë rritje, inflacioni ka kaluar zyrtarisht objektivin prej 3% të vendosur nga Banka e Shqipërisë.
Shtrenjtimi i jetesës u nxit kryesisht nga dy zëra kryesorë: ushqimet (shtim me 3.0% dhe ndikim +1.02 pikë përqindje) dhe kostot e qirave e faturave (shtim me 4.8% dhe ndikim +0.96 pikë përqindje). Rritje të lartë vjetore pësuan edhe argëtimi (+6.1%) dhe shërbimet financiare (+5.1%), ndërsa veshjet e këpucët patën një rënie të lehtë prej 0.9%.
Pavarësisht kapërcimit të tavanit të inflacionit, Banka e Shqipërisë vendosi të mos reagojë, duke e lënë normën bazë të interesit të pandryshuar në 2.5%.