
Pak javë më parë, në një hotel luksoz në Qerret të Kavajës, u regjistrua një ngjarje tragjike dhe misterioze. Në rrethana ende të paqarta, në këtë hotel u gjetën të pajetë 4 turistë rusë. Viktimat Sergei Burenkov, 60 vjeç, Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Ekatetina Burenkova 31 vjeçe dhe Nikita Belousov, 37 vjeç u konstatuan pa shenja jete në ambientin e hotelit, në datë 15 tetor 2021 rreth orës 22:00.

Ndërkohë pritet që për të zbardhur ngjarjen të zhvillohet një eksperiment. Tragjedia me 4 viktima, po hetohet për vrasje në rrethana cilësuese ndërsa ndihmë është kërkuar nga ushtria. Pritet që në hetime të përfshihet edhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, pjesë aktive e forcave të armatosura, pasi për krimin dyshohet të jenë përdorur agjent biologjik ose kimik të jashtëm.