Vdekja misterioze e 4 turistëve rusë, vazhdojnë hetimet nga Prokuroria e Kavajës

Vdekja misterioze e 4 turistëve rusë, vazhdojnë…

Pak javë më parë, në një hotel luksoz në Qerret të Kavajës, u regjistrua një ngjarje tragjike dhe misterioze. Në rrethana ende të paqrta, në këtë hotel u gjetën të pajetë 4 turistë rusë. Viktimat Sergei Burenkov, 60 vjeç, Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Ekatetina Burenkova 31 vjeçe dhe Nikita Belousov, 37 vjeç u konstatuan pa shenja jete në ambientin e hotelit, në datë 15 tetor 2021 rreth orës 22:00.

Pas ngjarjes në dritë kanë dalë detaje të reja lidhur me vdekjen misterioze të katër turistëve rusë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë njofton se ka regjistruar procedimin penal parashikuar në Nenin 79 “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” të Kodit Penal, ndërsa citon se ka administruar një sërë provash.

Njoftimi i plotë i prokurorisë

Kavajë, 25 nëntor 2021. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, ka regjistruar procedimin penal Nr. 448/2021, parashikuar në Nenin 79 “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” të Kodit Penal, për ngjarjen e ndodhur datë 15.10. 2021, me pasojë vdekjen e 4 shtetasve rusë në mjediset e SPA të hotel “Gloria Palace”.

Në përgjigje të interesimit të medias informojmë opinionin publik se deri në këtë fazë të hetimit në dinamikë janë administruar një sërë aktesh e provash në funksion të çështjes të cilat janë në verifikim nga ana e prokurorisë. Janë marrë gjithashtu deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale. Të gjitha këto prova po vlerësohen në raport me njëra-tjetrën për të përcaktuar dhe ecurinë e mëtejshme të hetimit.

Duke kërkuar mirëkuptimin e medias dhe opinionit publik në ruajtjen e sekretit hetimor, sigurojmë angazhimin maksimal të prokurorisë në përfundimin e hetimeve në një kohë sa më shpejtë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit