Vdekja tragjike e gazetarit Enrik Mehmeti, zbardhen detaje nga aksidenti: Në motor ndodhej edhe një 18-vjeçar

Vdekja tragjike e gazetarit Enrik Mehmeti, zbardhen…

Policia e Vlorës ka dhënë informacionin paraprak lidhur me aksidentin tragjik ku humbi jetën gazetari i njohur Enrik Mehmeti, 40-vjeç.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40 në zonën e Dajlanit, në bregdet, jashtë zonës rrugore.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se Mehmeti ishte duke drejtuar një motomjet me katër rrota (ATV), kur ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, duke bërë që mjeti të përmbysej. Si pasojë e aksidentit, gazetari ka pësuar dëmtime të rënda trupore.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. Enrik Mehmeti u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Policia bën me dije se në motomjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi me iniciale K. S., rreth 18-vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas verifikimeve paraprake, aksidenti ka ndodhur në një sipërfaqe bregdetare, jashtë zonës rrugore, dhe nuk ka pasur përfshirje të mjeteve të tjera apo përdoruesve të tjerë të rrugës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje tragjike.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit