
Detaje të reja po zbardhen rreth ngjarjes së rëndë të ndodhur në mesnatë, ku mbeti i vrarë Pal Kolës, 60-vjeçari që humbi në atentatin ndaj Top Channel. Familjarët e tij kanë rrëfyer se viktima kishte 6 muaj që punonte si roje sigurie pranë Top Medias. Ata kanë treguar se ai ecte disa kilometra në këmbë për të shkuar në punë.
“Ecte disa kilometra në këmbë për të shkuar në punë. Kishte 6 muaj që punonte”, kanë thënë ata jashtë kamerave.
Pal Kola jetonte në zonën e Sharrës, nga ku përditë nisej me këmbë drejt Kasharit, ku ndodhet edhe godina e Top Channel.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi rreth orës 01:00. Persona të paidentifikuar u afruan pranë Top Channel me një automjet tip ‘Range Rover’ me targa të vjedhura dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi kundrejt ambienteve të televizionit. Një nga plumbat kapi rojen e sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç, i cili ndërroi jetë në vend.