Veliaj ankimon vendimin për Ols Dado: Gjykata nuk shqyrtoi ligjshmërinë e emërimit

Veliaj ankimon vendimin për Ols Dado: Gjykata…

Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e 24 korrikut të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, e cila vendosi të mos e shqyrtojë në themel padinë e tij ndaj prokurorit Ols Dado. Në komunikatën për mediat, Veliaj pretendon se gjykata nuk i ka dhënë përgjigje pyetjes nëse një person mund të ushtrojë pushtetin penal të shtetit kur pretendohet se është emëruar në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga ligji.

Veliaj argumenton se në momentin e emërimit në vitin 2008, Ols Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe, sipas tij, nuk plotësonte kriteret ligjore për t’u emëruar prokuror. Kryebashkiaku pretendon gjithashtu se gjykata e ka mbyllur çështjen për mungesë legjitimimi, pa verifikuar nëse akti i emërimit të Dados mund të konsiderohet absolutisht i pavlefshëm.

Në vendimin e 24 korrikut, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë është shprehur se Veliaj nuk ka interes të drejtpërdrejtë, por vetëm interes të tërthortë në këtë çështje. Për këtë arsye, gjykata vendosi të mos marrë në shqyrtim padinë lidhur me emërimin e Ols Dados si prokuror. Tashmë çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata Administrative e Apelit pas ankimit të paraqitur nga Veliaj.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit