Veliaj betonizoi Tiranën, INSTAT: Miliona metra tokë janë dhënë për ndërtimin e kullave

Veliaj betonizoi Tiranën, INSTAT: Miliona metra tokë…

Miliona metra katrorë tokë janë dhënë në Tiranë nga Erion Veliaj për ndërtimet e kullave, që kanë bllokuar jetën e gjithë qytetit. Në vitin 2023, Bashkia e Tiranës dha gjithsej leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 1.4 milionë metra katrorë, që përbën 67% të totalit të lejeve të dhëna në të gjithë Shqipërinë, sipas të dhënave të INSTAT. Që nga viti 2017, bashkia e kryeqytetit ka rritur ndjeshëm sipërfaqen për të cilën ajo ka dhënë leje për t’u ndërtuar, duke e kthyer Tiranën në qytetin më të ndotur e më të pajetueshëm. Në total, për gjithë periudhën 2017-2023, janë dhënë një rekord prej 8.9 milionë metra katrorë sipërfaqe e lejeve të ndërtimit.

Në fillim të mandatit të tij të parë si kryebashkiak i Tiranës, ish-drejtuesi i MJAFT Erion Veliaj premtoi se nuk do të kishte asnjë leje ndërtimi dhe se sipas tij kryeqyteti do ishte me i gjelbëruar se kurrë. Jo vetëm që nuk e mbajti fjalën, por duke favorizuar miqtë e tij, Tirana sot është më e betonizuar se kurrë më parë. Ndërtimet e shumta, nuk kanë ulur as çmimet, duke bërë që të rinjtë, por jo vetëm, të largohen nga vendi i tyre,ku siguria për të ardhmen është zero. Veliaj sot e pranon masakrën që i ka bërë Tiranës, por justifikohet duke thënë se qyteti është bërë më i populluar e më i zhvilluar.

Shumëkujt i vjen për të qeshur, kur rikujton premtimin për zero ndërtime në Tiranë, i bërë nga Erion Veliaj gjatë fushatës zgjedhore të 2015. “Do të vendos një moratorium për lejet e ndërtimit në Tiranë. Pra, nuk do të ketë ndërtime gjatë mandatit tim. Dua të mbahem mend si një njeri që ndërtoi parqe dhe jo pallate” – u shpreh Veliaj, pak para se të fitonte zgjedhjet lokale në 2015. Kjo tallje e rëndë me qytetarët që i votëbesuan mandatin e Kryetarit të Bashkisë, tashmë ka tejkaluar çdo limit. Veliaj jo vetëm që nuk vendosi moratorium, por ai do të mbahet mend si një nga betonizuesit më të mëdhenj të Tiranës, njësoj si parardhësi i tij, Edi Rama. Edhe pse u premtuan më shumë hapësira të gjelbra për fëmijët, ato po zihen me ndërtimet e kullave, duke mos lënë asnjë milimetër park.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit