
Asfaltimi i rrugicave në Tiranë ishte fushata e vetme elektorale që Erion Veliaj bëri për zgjedhjet e 14 majit.
Me disa xhirim që bënte në mbrëmje me punëtorët e bashkisë, mundohej të krijonte idenë e punës së madhe që po bënte në disa zona të ndryshme.
Por nëse Erion Veliaj u mundua të bënte propagandë në lagjet periferike, ai ka lënë në harresë dhe mjerim zonat kryesore dhe më të frekuentuara në kryeqytet.
Në zonën e Brrylit, rruga “Spiro Ballkameni”, jo më shumë se 100 metra rrugë është lënë në mëshirë të fatit. Pa asfalt dhe gropat e formuara kanë krijuar problematika dhe vështirësi për banorët.
Një qytetar, ka kontaktuar në redaksinë tonë, ku ka deklaruar se pavarësisht ankesave që janë dorëzuar në njësinë administrative nr.2, kërkesa e tyre nuk ka marrë zgjidhje.
Më problem, kjo rrugë është bërë për prindërit me fëmijë të vegjël, të cilët duhet të frekuentojnë këtë rrugë me karrocat e të vegjëlve të tyre.
“Përshëndetje TVA News. Kjo është pamja që shikon në mes të Tiranës, me këto rrugë cop cop sikur jemi në fshatin më të largët të qytetit. Kemi bërë kërkesë në njësinë bashkiake po asnjë nuk ka ardhur të na e rregullojë. Sidomos kur bie shi, bëhet si mos më keq. Madje në fundjavë, të shtunë e të dielë, përtojnë të pastrojnë edhe koshat e plehrave”, shkruan qytetari.
Ndryshe se çfarë na shfaq çdo ditë, duke vijëzuar rrugët që kanë vija të bardha apo duke hedhur asfalt atje ku ka, propaganda e tyre bie poshtë kur sheh realitetin ashtu siç është, me gropa në mes të qytetit dhe pa asfalt.



