Një javë pasi Gjykata Kushtetuese kërkoi rishikimin e masës së sigurisë ndaj Erion Veliajt, mbrojtja e tij i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesë për përshpejtimin e çështjes. Avokatët argumentojnë se çdo vonesë cenon lirinë personale të kryebashkiakut, por edhe “funksionimin e Bashkisë së Tiranës”, duke theksuar se qyteti ka nevojë për të zgjedhurin e tij në krye të institucionit.
Sipas mbrojtjes, koha po konsumon mandatin e tretë të Veliajt dhe çdo ditë e kaluar në arrest nuk mund të rikthehet më. Në argumentet e paraqitura thuhet se një vendim i vonuar, edhe nëse do të ishte në favor të tij, nuk do të mund të kthente periudhën e humbur të ushtrimit të detyrës. Me pak fjalë, sipas avokatëve, Tirana nuk duhet të presë deri në përfundim të procedurave gjyqësore për të pasur sërish kryebashkiakun në zyrë.
Mbrojtja kërkon që Gjykata e Lartë të vlerësojë nëse “arresti në burg” është ende i nevojshëm dhe proporcional, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Veliajt. Ndërkohë, argumenti se Bashkia e Tiranës ka nevojë urgjente për kryebashkiakun e zgjedhur mbetet një nga pikat kryesore të kërkesës, ndërsa qytetarët presin të shohin nëse ky “domosdoshmëri institucionale” do të bindë gjykatën.