Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u shoqërua sot nga paraburgimi në Durrës drejt Gjykatës Administrative, ku mori pjesë në seancën gjyqësore të padisë së ngritur prej tij ndaj prokurorit Ols Dado. Veliaj kundërshton ligjshmërinë e emërimit të Dados si prokuror, duke kërkuar anulimin e dekretit presidencial të vitit 2008, me argumentin se ai është emëruar pa përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Në seancë mungoi avokati i tij, Plarent Ndreca, i cili kërkoi shtyrjen për shkak të një problemi familjar, ndërsa gjykata e caktoi seancën e radhës më 24 korrik, në orën 09:00.
Përpara nisjes së seancës, Veliaj u pa duke hyrë në ambientet e gjykatës me romanin “Zoti President” në dorë. Vepra e nobelistit Miguel Ángel Asturias është një satirë e njohur ndaj regjimeve autoritare dhe terrorit politik, e frymëzuar nga periudha e diktaturës së Presidentit Manuel Estrada Cabrera në Guatemalë. Libri konsiderohet një nga kryeveprat e letërsisë botërore dhe për vite me radhë ka qenë i ndaluar për shkak të përmbajtjes së tij kritike ndaj pushtetit.
Veliaj kishte përgatitur edhe një deklaratë për trupën gjykuese, por nuk iu lejua ta lexonte në sallë. Në tekstin e shpërndarë për mediat, ai i referohet vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit masa e sigurisë ndaj tij nuk ishte arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme për sa i përket proporcionalitetit. Kryebashkiaku pretendon se Ols Dado, si prokuror i çështjes, i ka kufizuar lirinë dhe i ka pamundësuar ushtrimin e mandatit, ndërsa padia synon të vërë në diskutim ligjshmërinë e emërimit të prokurorit.
<iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=476&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Freel%2F2082146672438808%2F&show_text=false&width=267&t=0″ width=”267″ height=”476″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share” allowFullScreen=”true”></iframe>