Veliaj nuk dorëzohet: Si “Diella”, tani shfaqet virtualisht për të drejtuar Tiranën

Veliaj nuk dorëzohet: Si “Diella”, tani shfaqet…

Nëse kujtonit se kishit parë gjithçka pas shfaqjes surrealiste të ministres virtuale “Diella”, mbërtheni mirë rripat e sigurimit, sepse Shqipëria sapo ka inauguruar kryeveprën e radhës të absurdit: Tirana tashmë ka kryebashkiakun e saj holografik, të prodhuar në serat e propagandës digjitale!

Erion Veliaj, i cili qysh prej vitit 2025 shijon “luksin” e paraburgimit të Durrësit, na ka dëshmuar se hekurat e qelisë dhe dyert e çelikut janë thjesht detaje estetike për një mendje që lulëzon te rrjetet sociale. Me fjalë të tjera, ndërsa trupi fizik i dergjet pas mureve të ftohta për shkak të “bëmave” të tij, alter egoja e tij digjitale bredh lirshëm nëpër profilet e Facebook-ut, duke bërë smart working nga qelia me pamje nga dritarja e vogël e burgut. Pse, mos do të thoni se duhet të djersijë duke ecur nëpër rrugët e Tiranës, kur mund të qeverisë rehatshëm përmes pikselëve dhe ekraneve?

Me një cinizëm që sfidon çdo lloj logjike njerëzore, vetë Veliaj e pranon hapur se “prej 20 muajsh vijon pengmarrja ime”, por kjo nuk e pengon aspak që të lëshojë mesazhe nga qendra e komandës virtuale. “Nuk mund ta bëj këtë përshëndetje veçse me inteligjencë artificiale”, shprehet ai pa u skuqur fare, duke konfirmuar se tashmë administrata e kryeqytetit drejtohet nga një klon i koduar. Është një shfaqje ku avatarët flasin për kopshte, çerdhe, shkolla të ndërtuara dhe premtime madhështore si puna e “ushqimit në shkolla”, sikur të jemi në ndonjë telenovelë turke ku skenari shkruhet mes katër mureve dhe xhirohet në serverët e kompjuterit.

Dhe këtu batuta kthehet në tragjikomedi: nga njëra anë kemi kryebashkiakun “real” që qahet se e kanë futur në grackë dhe e kanë kyçur me çelës, kurse nga ana tjetër kemi klonin e tij në 4K që nuk ndalet së bëri fushatë dhe bilance. Qytetarë të Tiranës, hiqni çdo shpresë se mund të çliroheni nga fytyra e tij: edhe pas hekurave, Veliaj gjen mënyrën t’ju dalë para syve nga ekrani, duke ju shitur të njëjtën propagandë të konsumuar, por tani me erë moderne inteligjence artificiale. Përuluni përpara teknologjisë: shteti digjital ku të fusin brenda, por të lënë të hapur në Facebook!

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit