Në fillim të sezonit turistik u tha se pushuesit që do të zgjidhnin Velipojën për plazh do të përfitonin çmime më të ulëta për çadrat dhe shezlonët, si në plazhet publike, ashtu edhe në ato private.
Sipas vendimeve të bëra publike, në katër plazhet publike të administruara nga Bashkia, të shpërndara në Velipojë dhe në zonën e Rrjollit, tarifa për një çadër me dy shezlonë është 500 lekë. Ndërkohë për plazhet private u njoftua një çmim tavan prej 900 lekësh për një çadër me dy shezlonë, me synimin për të mbajtur nën kontroll kostot për pushuesit gjatë sezonit veror.
Megjithatë, situata në terren paraqitet ndryshe. Që në ditët e para të sezonit, në disa plazhe private në Velipojë, pushuesit kanë paguar deri në 1.500 lekë për një çadër me dy shezlonë, një çmim që tejkalon ndjeshëm tarifën e shpallur.
Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi zbatimin e çmimeve tavan të njoftuara nga autoritetet vendore. Ashtu si në Vlorë, edhe në Velipojë duket se operatorët privatë vijojnë të vendosin tarifat sipas politikave të tyre, ndërsa çmimet e publikuara nga bashkitë mbeten thjesht show mediatik pa asnjë efekt të dukshëm në praktikë.
Pushuesit kërkojnë më shumë kontroll dhe mbikëqyrje, në mënyrë që rregullat e shpallura të mos mbeten vetëm në letër dhe të garantohen çmime të drejta gjatë gjithë sezonit turistik.