Përshkallëzimi ushtarak mes Izraelit dhe Iranit shtyn shtetet e Ballkanit të tërheqin diplomatët dhe qytetarët
Përshkallëzimi i dhunës mes Izraelit dhe Iranit ka nxitur një valë evakuimesh diplomatike nga disa vende të Ballkanit, të cilat po mbyllin përkohësisht ambasadat dhe po tërheqin personelin nga të dyja vendet. Kriza e sigurisë ka detyruar qeveritë të marrin masa të menjëhershme për mbrojtjen e qytetarëve dhe stafit diplomatik.
Presidenca e Bosnjë-Hercegovinës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, vendosi mbylljen e përkohshme të ambasadave në Teheran dhe Tel Aviv. Ministria e Jashtme u ngarkua me zbatimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe organizimin e evakuimit të personelit.
Edhe Kroacia ka ndërmarrë hapa konkretë, duke nisur procesin e evakuimit të diplomatëve të saj nga Izraeli dhe Irani. Ministri Gordan Grliç Radman konfirmoi gjithashtu përpjekjet për të riatdhesuar qytetarët kroatë, të cilët gjenden në zonat e konfliktit. Deri më tani, janë përdorur rrugë tokësore përmes vendeve të sigurta si Egjipti dhe Jordania, ndërsa një avion sllovak ka transportuar disa shtetas në Bratislavë.
Sipas të dhënave zyrtare, në Iran ndodhen rreth 15 qytetarë kroatë, ndërsa në Izrael afërsisht 150, përfshirë edhe ata me shtetësi të dyfishtë. Autoritetet kroate mbeten në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorin në Teheran dhe po koordinohen me shtete si Bullgaria, Çekia dhe Hungaria, të cilat kanë filluar gjithashtu evakuimet.
Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Đuro Macut, zhvilloi një takim urgjent në Kajro me ministrin e jashtëm të Egjiptit për të garantuar evakuimin e më shumë se 2.500 shtetasve serbë që ndodhen aktualisht në Izrael. Me ndihmën e autoriteteve egjiptiane, Ambasada e Serbisë në Kajro ka filluar të pranojë qytetarët në kufi dhe po organizon kthimin e tyre të sigurtë në vendlindje.
Edhe Sllovenia ka reaguar me vendosmëri, duke njoftuar tërheqjen e plotë të personelit diplomatik nga ambasada në Teheran, përfshirë edhe familjarët. Të gjitha shërbimet konsullore janë pezulluar përkohësisht, ndërsa qytetarët e bllokuar në Iran janë këshilluar të kërkojnë ndihmë në ambasadat e vendeve të BE-së ende të pranishme në vend.
Në të njëjtën kohë, Maqedonia e Veriut njoftoi për evakuimin e parë të një grupi qytetarësh nga Izraeli. Tetë persona, përfshirë fëmijë dhe të rritur, u transportuan me avion qeveritar pas udhëtimit përmes Egjiptit. Ministri i Jashtëm, Timço Muçunski, deklaroi se vendi ishte ndër të parët në Europë që ndërmorën veprime të tilla të shpejta dhe të organizuara për sigurinë e qytetarëve. Të gjitha këto lëvizje vijnë në një kohë kur tensionet ushtarake mes dy vendeve janë thelluar ndjeshëm. Sulmet ajrore të Izraelit ndaj objektivave ushtarake dhe bërthamore në Iran kanë provokuar kundërpërgjigje me raketa, duke shkaktuar mbi 500 të vdekur dhe më shumë se 1.300 të plagosur në territorin iranian, sipas mediave lokale. Ndërkohë, autoritetet izraelite raportojnë mbi 24 të vdekur nga sulmet iraniane