Vendimi/ Gjykata detyron Spitalin Amerikan të dëmshpërblejë me 500 milion lekë pacienten e dëmtuar

Vendimi/ Gjykata detyron Spitalin Amerikan të dëmshpërblejë…

Gjykata e Tiranës detyron Spitalin Amerikan të paguajë shpërblim në rreth 500 milionë lekë të vjetra në favor të shtetases E.Z., dhe familjarëve të saj, për shkaktim dëmi.

Në një vendim të marrë pak javë më parë, trupa gjykuese e kryeqytetit konstatoi se e reja E.Z. ka pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrët e sipërm gjatë trajtimit shëndetësor në spitalin privat.

Çështja gjyqësore ka nisur në vitin 2017.

Pas një morie seancash, ku janë përfshirë edhe ekspertë ortopedë dhe përfaqësues të Institutit të Mjekësisë Ligjore, gjykata arriti në konkluzionin se shërbimi shëndetësor në Spitalin Amerikan i ka shkaktuar paditëses E.Z dëme të konsiderueshme.

Në vendimin e datës 11 janar 2021, gjykata vendosi që Spitali Amerikan, në pronësi të biznesmenit Klodjan Allajbeu, duhet të paguajë shtetasen E.Z me një shumë prej 6.4 milionë lekë të reja për dëmtimin fizik.

Po ashtu, Spitali privat detyrohet të paguajë edhe 60 mijë euro në favor të të dëmtuarës E.Z. si shpërblim për dëmin moral dhe ekzistencial.

Në proces gjyqësor kanë ndërhyrë si “palë” edhe familjarë të të dëmtuarës E.Z.

Këta të fundit kanë kërkuar gjithashtu shpërblim për dëmin moral dhe ekzistencial që u është shkaktuar prej veprimeve të Spitalit Amerikan ndaj familjares së tyre.

Gjykata, pasi analizoi provat, si edhe bazuar në konkluzionet e ekspertëve, ka konkluduar se kërkesa e familjarëve është e drejtë dhe duhet pranuar.

Pas këtij konstatimi, gjykata vendosi detyrimin e Spitalit Amerikan të dëmshpërblejë edhe familjarët e të dëmtuarës E.Z. me një total prej 350 milionë lekëve të vjetra.

“Boldnews.al” ka raportuar më herët edhe për një proces tjetër gjyqësor, në përfundim të të cilit Spitali Amerikan është detyruar të dëmshpërblejë një pacient për problemet shëndetësore të shkaktuara pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në këtë institucion privat shëndetësor.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit