Vendimi i gjykatës gjermane mund të copëtojë BE-në

Vendimi i gjykatës gjermane mund të copëtojë…

Një gjykatës i lartë i BE-së paralajmëroi se vendim i fundit i marrë nga Gjykata Kushtetuese Gjermane për blerjen e bonove të thesarit në 2015 nga Banka Qendrore Evropiane, rrezikon të çmontojë shtetin e së drejtës në BE dhe ndoshta edhe vetë BE-në.

Më 5 maj, gjykata gjermane vendosi që blerja e bonove në 2015 nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) është e paligjshme sipas ligjit gjerman, vetëm nëse BQE mund të sigurojë një arsyetim të duhur brenda tre muajve të ardhshëm. Vendimi është interpretuar gjerësisht si sfidë ndaj pavarësisë së autoritetit më të lartë ligjor të BE-së, Gjykata e BE-së, e cila kishte lejuar programin e blerjes së bonove.

Në një deklaratë të pazakontë publike, të ndarë me POLITICO.eu, Marc van der Woude, presidenti i Gjykatës së Përgjithshme të BE-së, gjykata e dytë më e lartë evropiane, e përshkroi vendimin e Gjykatës Kushtetuese gjermane si “ndërhyrje të drejtpërdrejtë në funksionimin e shtetit ligjor në Evropë”, dhe paralajmëroi se mund të inkurajojë daljen e disa vendeve nga BE.

Duke thënë se gjykata e BE ka vepruar në një mënyrë “jo të kuptueshme” dhe “ultra vires”, (përtej ligjit) ose përtej autoritetit të saj, gjykatësit gjermanë dhanë një vlerësim turpërues për homologët e tyre evropianë. Si pasojë, Presidenti i Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se po mendon të fillojë një procedurë shkeljeje kundër Gjermanisë.

Në fjalën e tij, van der Woude e përshkroi vendimin gjerman si një rrezik për rendin juridik “të brishtë dhe delikat” të BE-së dhe paralajmëroi se do të “gërryejë lidhjet e besimit midis të gjitha gjykatave të BE-së dhe do të minojë shtetin e ligjit mbi të cilin Bashkimi Evropian është i bazuar “.

/Exit.al

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit