
Gjykata e Strasburgut e cilësoi vrasjen e Aleks Nikës më 21-janar të vitit 2011 gjatë demostratës së opozitës si një krim shtetëror të pazbardhur.
Në vendimin e zbardhur gjatë ditës së martë, Gjykata ka zbuluar se ka dy shkelje në këtë çështje: vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes. Po ashtu në këtë vendim, theksonte se në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje proceduriale.
Për vendimin e gjykatës ndërkombëtare, ka reaguar edhe xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika. Në një intervistë televizive, ai ka kërkuar që kjo çështje të hetohet nga SPAK deri në fund dhe autorët e këtij krimi të ndëshkohen.
“Për ne ishte një veprim i pritur. Falenderojmë Gjykatën e Strasburgut për të detyruar drejtësinë shqiptare që ta hetojë çështjen deri në fund. Për shkak se drejtësia jonë kaheshtur dhe çështja jonë ka ngelë në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës. Kërkojmë që ky vendim i Starsburgut të hetohet dhe çështja të kalojë për hetim të gjithanshëm prokurorisë speciale SPAK”, tha Mark Nika.
Ndërsa më tej ai shton se kanë vuajtur për 13 vite mungesën e drejtësisë dhe shtyrjen e kësaj çështje me procedura të pakuptimta.
“Ata na vranë, na përçudnuan dhe sot e 13 vite që ne po vuajmë dhe ata nuk e ndjejë dhimbjen që kemi ne dhe janë marrë me sofizma procedura të pakuptimta”, deklaroi ai.
Gjithashtu Mark Nika ka kërkuar të merren në hetim Sali Berisha dhe Lulzim Basha.
“Ajo është e provuar, është pranuar vetë nga udhëheqësit e PD nga Lulzim Basha dhe Berisha ato të hetohen dhe nëse kanë përgjegjësi direkte të shkojnë para drejtësisë”, tha ai.