
Me një vendim të heshtur, qeveria zhvendos postën kufitare në Ksamil, duke hapur rrugën për privatizim nga miqtë e pushtetit
Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një tjetër hap drejt transferimit të pasurive publike në bregdetin jugor drejt interesave të ngushta private. Me Vendimin Nr. 320, të datës 11 qershor 2025, objekti i njohur si posta kufitare Vivar në Ksamil, i është hequr nga duart e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe është kaluar në administrim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Ky institucion, i përdorur tashmë si nyje kalimi për pasuri që i kalojnë më pas Korporatës së Investimeve Strategjike, shërben si stacion paraprak për privatizimin përmes koncesioneve të përzgjedhura.
Vendimi është mbuluar me një gjuhë të turbullt burokratike. Në tekst, prona përshkruhet si “Postë Kufitare në Sarandë”, duke shmangur me qëllim përmendjen e emrit “Vivar”. Por dokumentet kadastrale e zbulojnë të vërtetën: prona përfshin një sipërfaqe prej 5211 m², ku përfshihet edhe një ndërtesë dy katëshe prej 280 m², ndodhur në një prej pikave më të lakmuara të bregdetit shqiptar – Kepi i Stillos, përballë Korfuzit dhe pranë Butrintit.
Ky nuk është rasti i parë që kjo pronë kalon duarsh. Fillimisht iu mor Policisë së Shtetit dhe iu dha Ministrisë së Turizmit, me firmën e Mirela Kumbaros, një emër i njohur në ndarjen e trojeve publike për “zhvillime të qëndrueshme”. Tani, objekti i është dorëzuar Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare – hapi i fundit përpara se të shpallet “zonë strategjike” dhe të kalojë në duart e Korporatës së Investimeve.
Burime pranë strukturave të brendshme të kësaj Korporate konfirmojnë se prona synohet të koncesionohet nën etiketën “zonë turistike e zhvillimit të qëndrueshëm”. Në listën e përfituesve të mundshëm, kryeson Gjergji Luca, biznesmen i afërt me qeverinë dhe përfitues i mëparshëm i liqenit Xarrë-Buf për kultivim midhjesh – një zonë që kufizohet pikërisht me postën kufitare të Vivarit.
Ky vendim vjen vetëm një javë pasi Rama, “El Padrone”, i cili në kohën kur ishte në opozitë, nuk la koncesion pa nxirë, shpalli dhënien me koncesion të rezidencave në Vlorë dhe Velipojë. Ngjashmëritë janë të shumta: prona publike, vendime të fshehta, kalim i administrimit në struktura të përkohshme dhe në fund – privatizim me etiketa strategjike për klientët e përhershëm të qeverisë.
Duket qartë se skema nuk ka të ndalur. Pasuritë publike, sidomos ato bregdetare, po kalojnë nga pronësia e shtetit në duar private përmes mekanizmave që shmangin transparencën publike. Çdo pronë që ka vlerë strategjike dhe potencial turistik, tashmë është kthyer në monedhë shkëmbimi për heshtje politike, aleanca elektorale dhe favore të ndërsjella mes pushtetit dhe klientëve të tij.
Nëse ky ritëm vazhdon, bregdeti shqiptar rrezikon të mbetet në duar të pak personave me lidhje të forta politike, ndërsa qytetarët do të përjashtohen gjithnjë e më shumë nga aksesimi i hapësirave publike. Të gjitha këto lëvizje ndodhin në emër të “zhvillimit”, por në të vërtetë pasurojnë një grusht njerëzish dhe varfërojnë pasurinë e përbashkët.