Qeveria shqiptare ka miratuar një strategji të re që parashikon heqjen graduale të kategorive të vjetra EURO të automjeteve gjatë periudhës 2027–2030, si pjesë e përafrimit të sektorit të transportit me standardet mjedisore të Bashkimit Europian.
Dokumenti parashikon zbatimin e standardeve europiane për homologimin e automjeteve dhe emetimet ndotëse, duke synuar eliminimin gradual të teknologjive të vjetruara. Në këtë kategori përfshihen standarde të hershme si Euro 3 dhe Euro 4, të cilat karakterizojnë një pjesë të madhe të automjeteve të prodhuara gjatë viteve 2000.
Sipas strategjisë, procesi do të nisë zyrtarisht në vitin 2027 dhe është planifikuar të përfundojë brenda vitit 2030, me qëllim përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe dekarbonizimin e transportit rrugor.
Pyetjet pa përgjigje dhe institucionet e angazhuara
Deri më tani, dokumenti nuk përcakton ende shprehimisht se cilat kategori EURO do të përjashtohen në secilën fazë dhe nëse kufizimet do të zbatohen vetëm për importin dhe regjistrimin e ri apo edhe për mjetet që janë aktualisht në qarkullim. Hapat konkretë dhe detajet teknike pritet të përcaktohen përmes akteve të mëtejshme rregullatore.
Për zbatimin e këtij plani do të angazhohen disa institucione kyçe:
-
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
-
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR)
-
Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit
-
Ministria e Financave
Ndryshime rrënjësore për autobusët ndërqytetas
Një masë tjetër konkrete e strategjisë lidhet drejtpërdrejt me transportin publik të pasagjerëve. Ekzekutivi ka parashikuar një program të posaçëm me një kosto prej 200 mijë eurosh për rinovimin e flotës së autobusëve ndërqytetas gjatë viteve 2028–2030.
Për autobusët përcaktohet qartë heqja e kategorive të vjetra EURO, si dhe vendosja e kërkesave të reja teknike dhe të sigurisë, ku përfshihen:
-
Sisteme sigurie ABS dhe ESC
-
Kamera sigurie CCTV
-
Pajisje moderne telematike
Strategjia synon gjithashtu nxitjen e përdorimit të automjeteve elektrike dhe hibride, si dhe zgjerimin e rrjetit të infrastrukturës së karikimit në të gjithë vendin.