
Biznesmeni Klodian Allajbeu do të jetë pronari i ri i Spitalit Amerikan (American Hospital), sepse do të blejë 86.3% të aksioneve.
Spitali Amerikan është spitali i parë privat në Shqipëri, i themeluar në vitin 2006 (si Univers-Alb sha) nga Klodian Allajbeu, në partneritet me dy kompani turke. Në vitin 2008, kompania u ble nga Balkan Alliance Healthcare B.V., shoqëri e regjistruar në Hollandë, por e kontrolluar nga një fond investimesh amerikan.
Ndërsa, tani Allajbeu do të blejë aksionet përmes një firmë tjetër të huaj, e cila është gjithashtu e regjistruar në Hollandë dhe quhet KA Healthcare BV. Blerja do të financohet pjesërisht me një kredi nga banka hungareze OTP dhe filiali i saj shqiptar, OTP Albania, në vlerën e 16 milionë eurove. Ndërsa çmimi në total i blerjes do të jetë 24 milionë euro.
Kredia do të merret nga kompania American Hospital, që në vijim do të hyjë në marrëdhënie huaje me aksionerin e ri kontrollues KA Healthcare BV, për ti siguruar fondet e nevojshme për blerjen e paketës kontrolluese të aksioneve në Balkan Alliance Healthcare B.V.
Për këtë qëllim, American Hospital ka vendosur si kolateral financiar të aksioneve saj, si edhe të gjitha filialet e kontrolluara nga International Hospital dhe American Hospital Kosova.