Vetëdorëzimi i 3 autorëve të plagosjes në Kavajë, Policia ‘zhvesh’ nga akuzat dy zyrtarët e Bashkisë

Vetëdorëzimi i 3 autorëve të plagosjes në…

Policia e Kavajës ka dhënë njoftimin zyrtar sa i takon vetëdorëzimit të tre autorëve të plagosjes së zyrtarit të PD-së Bledar Okshtuni, Ndriçim Jonuzi, Markel Shtylla– drejtori i Policisë Bashkiake dhe Dorian Troplini, punonjës i policisë bashkiake në Kavajë.

Edhe pse 3 personat u vetëdorëzuan në ambientet e komisariatit, Policia thotë se i ka arrestuar ata, ndërkohë që janë zhveshur nga akuza e plagosjes së rëndë e kryer në bashkëpunim.

Mbi Jonuzin rëndon akuza e armëmbajtjes pa leje dhe plagosjes së rëndë të kryer me dashje, ndërsa ndaj Shtyllës dhe Troplinin rëndon vetëm akuza e moskallëzimit të krimit, edhe pse u tha se ishin këta dy të fundit që rrahën fillimisht Okshtunin.

Njoftimi i Policisë:

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u arrestuan shtetasit: N. T.(J.), 45 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, dhe D. T., 29 vjeç dhe M. Sh., 29 vjeç për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Këta shtetas ishin të shpallur në kërkim, pasi më datë 19.04.2021, shtetasi N. T. ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin B. O., ndërsa shtetasit D. T dhe M. Sh. nuk kanë kallëzuar për krimin.

Gjatë ditës së djeshme, kreu i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krrali, njoftoi pezullimin nga puna të dy punonjësve të policisë, ndërkohë që në foton e publikuar nga Partia Demokratike, vetë numri 1 i Kavajës, kishte po ashtu shoqëri me autorin kryesot, Jonuzi, të cilin tentuan që ta shisnin si një demokrat të thekur.

“Vendimi i parë që firmosa sot sapo hyra në zyrë ishte ai për pezullimin e dy punonjësve të Bashkisë të përfshirë në ngjarje derisa organet kompetente të zbardhin çështjen dhe të japin një vendim. Distancohemi nga çdo akt dhune e përçarje me vetëdijen e plotë që Kavaja nuk mundet kurrësesi të përfaqësohet nga episode të tilla që përveçse banalitetit dhe gjaknxehtësisë nuk kanë asnjë prapavijë tjetër”, shkruante dje Krali në postimin e tij në rrjetet sociale. 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit