Vetëm 10 vite burg për vrasjen në Astir

Vetëm 10 vite burg për vrasjen në…

Gjykata e Tiranës ka përfunduar gjykimin e një 29-vjeçari të akuzuar për vrasjen me armë të ish-shokut të tij, mbrëmjen e 20 janarit 2020, në zonën e Astirit në kryeqytet.

I pandehuri Noel Dishi, i njohur edhe me emrat Noel Kolaveri dhe Miklovan Prifti, u shpall fajtor për ‘vrasjen me dashje’ të Vilson Tafçiut dhe për ‘armëmbajtje pa leje’. Ai u dënua me 16 vite burg në total, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u ul në 10 vjet e 6 muaj.

Mes provave me interes në gjykim ka qenë dëshmia e një vajze, e cila ka pasur njohje me të akuzuarin dhe viktimën.

Në deklarimet e saj, dëshmitarja me iniciale B.L. ka pohuar se i kishte njohur dy personat në rrethana të pavarura dhe se i akuzuari Noel Dishi kishte këmbëngulur për një lidhje me të. Ajo ka vënë re një acarim të të akuzuarit, kur ai kishte mësuar se ajo kishte njohje edhe me Vilson Tafçiun.

Ndërsa dëshmitarë të tjerë kanë rrëfyer për një hatërmbetje të 29-vjeçarit Dishi, që pretendonte se Tafçiu e kishte sharë te një vajzë.

Në vendimin e siguruar nga A2, gjykata arsyeton se vrasja e 28-vjeçarit Tafçiu ka ndodhur në gjaknxehtësi, pas një grindjeje të çastit, shoqëria e pretenduar nga secili prej tyre për të njëjtën vajzë.

Por, hetimi dhe gjykimi nuk kanë provuar një motiv, qëllim tjetër, apo paramendim për vrasjen, pasi dy të rinjtë janë takuar normalisht me njëri-tjetrin në lokal, kanë folur, kanë dalë jashtë tij, ku edhe kanë debatuar dhe Dishi ka qëlluar drejt tjetrit.

Në gjykim, Dishi ka pranuar krimin dhe shfaqur pendesë, por ka pretenduar se ishte fyer dhe kërcënuar nga i ndjeri, që e kishte fyer edhe në bisedat me mikeshën e tij.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit