Një situatë tepër shqetësuese raportohet në Lagjen nr. 1 të Rrogozhinës, vetëm 15 metra larg ambienteve të OSHEE-së.
Kapaku i një kutie elektrike të tensionit është lënë i hapur dhe i hedhur në tokë, duke lënë instalimet elektrike të pambrojtura në një zonë të banuar, ku lëvizin çdo ditë edhe shumë fëmijë të vegjël.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh në kushtet e reshjeve të shiut, pasi prania e ujit dhe lagështisë pranë instalimeve elektrike përbën një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e kalimtarëve dhe banorëve të zonës.
Është e papranueshme që një situatë e tillë të lihet pa u konstatuar dhe pa marrë masa, aq më tepër në një lagje ku ka shumë fëmijë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga OSHEE dhe institucionet përgjegjëse për të siguruar zonën dhe për të eliminuar rrezikun, përpara se të ndodhë ndonjë tragjedi.
A duhet të presim të ndodhë një incident që të merren masa?