Kombëtarja Shqiptare zbret sonte në fushën e stadiumit “Air Albania” me një objektiv të qartë: fitoren përballë Finlandës. Pak para sfidës së rëndësishme të Ligës së Kombeve, është bërë publik formacioni me të cilin trajneri Rolando Maran do të kërkojë tri pikët.
Në portë do të jetë Etrit Berisha, ndërsa treshja e mbrojtjes përbëhet nga kapiteni Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli dhe Mario Mitaj. Në krahë do të aktivizohen Elseid Hysaj dhe Stavro Pilo, ndërsa në qendër të mesfushës do të luajnë Kristjan Asllani dhe Ylber Ramadani.
Në mbështetje të sulmuesit Rei Manaj do të jenë Qazim Laçi dhe Ernest Muçi, të cilëve u besohet detyra për të krijuar raste dhe për të rrezikuar portën kundërshtare.
Përballja nis në orën 20:45 dhe është e vlefshme për raundin e pestë të Grupit C1. Kuqezinjtë vijnë në këtë takim si kryesues me 9 pikë, ndërsa Finlanda dhe Bjellorusia ndajnë vendin e dytë me nga 7 pikë.
Një fitore sonte do t’i jepte Shqipërisë një avantazh të rëndësishëm në garën për vendin e parë, përpara ndeshjes së fundit në transfertë ndaj Bjellorusisë, më 15 nëntor.