Vetëm në Shqipëri ndodh që…

Vetëm në Shqipëri ndodh që…

Tashmë jetoj në Shqipëri prej tre vitesh dhe kam shumë histori për të treguar. Më pëlqen të mbledh së bashku këto shkrime për fenomene që ndodhin ‘vetëm në Shqipëri’ dhe e di që shumë prej jush i pëlqejnë ato.

Si zakonisht, dua të theksoj se këto pika janë shkruar me shaka, nuk kanë asnjë tendencë negative dhe natyrisht nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, por mua më bëjnë përshtypje. I kam shkruar me shumë pozitivitet, ndaj uroj të merren në këtë mënyrë.

Vetëm në Shqipëri:

Njerëzit të kërcënojnë se do të të hanë fëmijën

Nëse jeni prind në Shqipëri, me siguri keni pasur pjestarë të familjes, njerëz në dyqane, kalimtarë të rastit që ju thonë ‘O zot sa fëmijë i mirë! Ta hash!’ ndërsa drejtojnë duart drejt fëmijës.

Kjo nuk do të thotë se ata vërtetë do të hanë fëmijën – mos u trembni- kjo është vetëm një mënyrë për të thënë sa të bukur dhe të mrekullueshëm janë fëmijët.

Nuk ka nevojë të alarmoheni, është një gjë e mirë dhe një kompliment për ju dhe fëmijën tuaj.

Njerëzit ju japin me zot çokollata kur vizitoni dikë

99% e familjeve shqiptare kanë dy gjëra: pantofla tek dera për mysafirët dhe një tas me çokollata. Me të hyrë, pritet të hiqni këpucët dhe t’i lini ato brenda ose jashtë, në varësi të shtëpisë dhe motit. Më pas vazhdoni në dhomën e ndenjes ku ju jepen çokollatat e lartpërmendura, ju pëlqen apo jo. Refuzimi i çokollatave nuk është një opsion dhe mikpritësi do të insistojë që të merrni një, dy, apo edhe tre.

Kur nxora palltot e dimrit për tu përgatitur për dimrin, gjeta çokollata në xhepat e secilës prej tyre, nga vizitat e vitit të kaluar. Mikpritja shqiptare është më e mira, mbushni gojën dhe xhepat me çokollata dhe kënaquni!

Do të jetoni vetëm me bakllava nga 20 dhjetori deri në 4 janar

Nëse shtrydhni shqiptarin mesatar në periudhën nga Krishlindjen deri në Vitin e Ri, me shumë gjasa prej tyre do të dalë shërbet. Kjo për shkak të ngrënies të shumë copave bakllavaje me shërbet.

Bakllavaja është ëmbëlsira tradicionale e festave të fundvitit në Shqipëri.

Gjatë festave, është krejtësisht e pranueshme të hani disa copa bakllava në ditë, përfshirë për mëngjes, me kafe, pas kafes dhe për ëmbëlsirë.

Do të festosh festat e feve të ndryshme gjatë vitit

I njëjti person, në të njëjtin vit do të festojë dhe Vitin e Ri, edhe Nevruzin (Viti i Ri Persian), Pashkët katolike dhe ato ortodokse, Bajramin e Madh dhe Kurban Bajramin, por dhe Krishtlindjet.

Në varësi të fesë që i përkisni, mund të ketë disa festa të tjera, apo të lini disa pa festuar. Por shumë familje i festojnë të gjitha.

Shumica e shqiptarëve nuk janë fetarë praktikantë, por mund të identifikohen nga ana kulturore ose përmes trungut të tyre familjar me një fe të caktuar.

Në thelb, shumë familje gjejnë një arsye për tu mbledhur së bashku për drekë. Meqë po flasim për ushqim, tavolina e festave zakonisht përfshin gjel, mishra të tjerë, lloje të ndryshme djathrash, sallata të ndryshme dhe shumë byrek. Ju bëftë mirë!

Duhet të specifikosh se e doni kapuçinon me kafe

Kam jetuar këtu për tre vjet dhe ende bëj gabim që nuk them “një kapuçino me kafe” në vend të thjesht “një kapuçino”. Nëse lini mënjanë pjesën “me kafe”, me siguri do t’ju shërbehet një filxhan kafe e ëmbël, e rreme, e njohur ndryshe si ‘kapucino me bustine’. Një fyerje për kafenë e vërtetë, nuk përmban kafeinë, është tmerrësisht e ëmbël dhe askush nuk e di se ç’ka brenda.

Nëse dikush ju pështyn, është një kompliment

Në Britani, nëse dikush ju pështyn, ka shumë të ngjarë që situata të përfundojë një konfrontim fizik. Ndoshta është një nga gjërat më të parespektueshme që mund t’i bëni dikujt. Por, tani jemi në Shqipëri.

Kur Dea ishte foshnjë, e çova në një dyqan të vogël dhe burri prapa banakut vazhdoi të pështyjë disa herë në drejtim të saj. Unë natyrisht u tmerrova dhe dola me vrap nga dyqani. Shpejt kuptova se pështyma ishte diçka që bënin njerëzit kur diçka ishte e mrekullueshme, e bukur ose shumë e veçantë. Akti i pështymës është për të larguar syrin e keq nga fëmija.

 

/exit

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit