Vetëm premtime të pambajtura, qytetarët e Korçës ende në pritje të spitalit të ri

Vetëm premtime të pambajtura, qytetarët e Korçës…

Një qytetare nga Korça i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen alarmante të spitalit rajonal, duke sjellë përmes fotove një tablo të zymtë të kushteve ku trajtohen pacientët çdo ditë. Sipas saj, godina është e amortizuar, me mure të rrënuara, dysheme të shkatërruara, mungesë higjiene dhe pajisjesh bazike si karrocat për pacientët që nuk ecin dot.

“Duke pritur spitalin e ri në Korçë”, shkruan ajo, e zhgënjyer nga premtimet e përsëritura por të parealizuara të qeverisë.

Prej vitesh, korçarëve u është premtuar ndërtimi i një spitali modern, por deri më sot projekti nuk ka parë as fillimin. Asnjë tullë nuk është vendosur, ndërsa çdo fushatë sjell me vete të njëjtat zotime, tashmë të konsumuar nga aeroporti i papërfunduar, stadiumi i lënë në harresë, deri te procesi i gazifikimit që ende nuk ka përfunduar.

Qytetarët shprehen të lodhur nga premtimet boshe. Spitali aktual nuk ofron mundësinë për të kryer shumë nga analizat dhe ekzaminimet bazë, duke i detyruar pacientët t’i drejtohen klinikave private.

 

Situata bëhet edhe më e rëndë gjatë dimrit, kur temperaturat e ulëta e bëjnë qëndrimin në ambientet e ftohta të spitalit një sfidë më vete. Ngrohja mungon, dhe pacientët mbështillen me batanije për të përballuar të ftohtin. Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama riktheu premtimin për ndërtimin e spitalit të ri, një deklaratë që u pasua nga ministri Niko Peleshi.

Ndërkohë, rreth një vit më parë, edhe kryebashkiaku Sotiraq Filo publikoi pamje të projektit të shumëpritur. Por pavarësisht fjalëve dhe planeve në letër, realiteti për qytetarët e Korçës mbetet i pandryshuar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit