Vetëvrasja e bosit nga Tirana në vilën luksoze/ Flet nëna e të riut milioner: Karantina e bëri me fiksime, thyente telefonat...

Vetëvrasja e bosit nga Tirana në vilën…

Bënte jetë bosi mes të mirave, vilave dhe makinave luksoze, por nuk qe e thënë që këto pasuri t’i gëzonte për shumë kohë.

Fati tragjik i biznesmenit të ri Eugert Lazaj, i cili dyshohet se u vetvra në banesën e tij në Sauk të Tiranës, është kthyer në një mister jo vetëm për familjarët, por edhe për ata që po hetojnë.

Në vijim të hetimeve që po kryhen nga agjentët e krimeve, laboratori i kriminalistikës ka konfirmuar se, arma me të cilën 37-vjeçari Eugert Lazaj, u vetqëllua, i përket shtetasit me inicialet R.P.

Arma është e llojit “Glock” me numër serial “Z…”.

Policia e ka pyetur shtetasin R.P, ai ka thënë se pistoleta i kishte humbur prej 20 muajsh dhe këtë fakt e kishte pohuar para policisë dhe prokurorisë.

“Nuk e njoh Eugert Lazajn”,- ka këmbëngulur ai në një deklaratë të marrë për sqarimin e kësaj ngjarjeje.

Policia deklaron gjithashtu se ka marrë në pyetje të afërmit që gjendeshin në vilë ditën e ngjarjes.

E ëma e milionerit që zotëronte një kompleks luksoz për dasma në kryeqytet, ka treguar se, menjëherë pas pandemisë i biri ishte mbyllur në shtëpi nga frika e koronavirusit: “Atë ditë rreth orës 6.45 në një gjendje jo normale më pyeti: ‘kush më hyn në telefon dhe më bën muzikë’.

Ai i kishte thyer edhe dy telefona të tjerë, kishte hequr fishat e televizorit, dilte nga dhoma në mënyrë të pakontrolluar, pretendonte se dëgjonte zhurma dhe muzikë” .

Urani Lazaj, thotë se, i biri nuk kishte konflikte, mosmarrëveshje apo borxhe me askënd.

I riu drejtonte një biznes eventesh në Maminas dhe ditën e ngjarjes, në një nga vilat e rezidencës, përveç të ëmës gjendej edhe bashkëshortja e viktimës së bashku me dy fëmijët e mitur.

“Im bir kishte kohë që nuk dilte jashtë nga frika e koronavirusit… Djali ka vrarë veten, nuk i di arsyet se përse.

Dyert ishin të mbyllura, dritaret dhe grilat”,- deklaron gruaja për policinë.

Banesa survejohej së jashtmi me kamera, ndërsa brenda jo.

Edhe i ati i milionerit, që u njoftua nga të afërmit menjëherë pas ngjarjes, tregoi se prej ditësh i biri pretendonte që shikonte persona.

“Kjo paranojë i filloi në kohën e karantinës ku qëndronte me orë të tëra i mbyllur. Fiksohej se shikonte njerëz jashtë vilës, por ne nuk shihnim asnjeri, kurse vila kishte alarm dhe kamera dhe ato nuk tregonin gjë”.

Burri tregon se, mbrëmjen përpara ngjarjes, i biri kishte mbyllur grilat pasi në një anë të vilës kishte rënë alarmi.

“Më pas e ç’aktivizuam alarmin e jashtëm, por më pas ai kërkoi grila të ngurta pasi u fiksua që kishte persona jashtë, edhe pse jashtë shtëpisë nuk shikonim asnjë person”,- thotë babai i viktimës.

Sipas familjarëve, gjendja e të riut ishte rënduar javë më parë kur ai thyente telefona dhe i kërkonte edhe familjes që të mos mbanin telefona.

“Për këtë arsye i kërkova bashkëshortes të kthehej nga Gjermania që t’i qëndronte djalit pranë”,- tregoi i ati, i cili kujton para policisë se, po tentonin ta bindnin që ai të udhëtonte drejt Gjermanisë, pasi ishin shtetas gjerman.

“Unë nuk e dija që im shoq mbante armë”,- rrëfen bashkëshortja e cila këmbëngul se me Eugertin, shkonte shumë mirë dhe nuk e dinte se përse ai i dha fund jetës.

/Burimi: Gazeta Si/Përshtati: Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit