Vetëvritet nënkomisari i Policisë Durrës

Vetëvritet nënkomisari i Policisë Durrës

Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e kësaj të enjte në ambientet e Policisë së Durrësit, ku një punonjës policie i ka dhënë fund jetës me armën e shërbimit.

Bëhet fjalë për nën-komisar Arben Pjeçi, me një përvojë gati 35-vjeçare në radhët e uniformave blu. Kanë qene familjarët e tij që kanë njoftuar humbjen e kontakteve me të afërmin e tyre, dhe më pas Policia e Durrësit ka nisur punën për gjetjen e tij.

Rreth orës 16:15 oficerët e Policisë Gjyqësore kanë hapur me forcë derën e zyrës së efektivit Arben Pjeçi në Komisariatin e Durrësit, i cili u gjet brenda i vetëvrarë me armën e shërbimit. Pjeçi ishte i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “plagosje e lehtë”, dënim që i kushtëzonte marrëdhëniet e punës me Policinë e Shtetit.

Gjetur në kushte depresioni, mendohet se efektivi me detyrë specialist i Policisë Kriminale i ka dhënë fund jetës me armën e shërbimit.

Lidhur me hetimet e ngjarjes është krijuar një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë. Për këtë ngjarje në dijeni është dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit