
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur vetminë një kërcënim urgjent për shëndetin global.
OBSH krijoi një komision ndërkombëtar, të udhëhequr nga kirurgu kryesor i SHBA-ve, Dr Vivek Murthy dhe i dërguari i Rinisë së Bashkimit Afrikan, Chido Mpemba. Ngritja e komisionit vjen, pasi pandemia COVID-19 ndaloi aktivitetet ekonomike dhe sociale, rriti nivelin e vetmisë, por edhe shtoi ndërgjegjësimin për rëndësinë e problemit.
“Vetmia i kapërcen kufijtë dhe po bëhet një shqetësim global i shëndetit publik që prek çdo aspekt të shëndetit, mirëqenies dhe zhvillimit. Izolimi social nuk njeh moshë apo kufij”,-është shprehur Mpemba. Sipas kirurgut amerikan , rreziqet shëndetësore janë po aq të këqija sa pirja e duhanit deri në 15 cigare në ditë dhe madje më të mëdha se ato që lidhen me obezitetin dhe pasivitetin fizik.
Edhe pse vetmia shihet shpesh si një problem në vendet e zhvilluara, Murthy thotë se normat e një në katër të moshuar që përjetojnë izolim social janë të ngjashme në të gjitha rajonet e botës. Te të rriturit e moshuar, vetmia shoqërohet me një rritje prej 50% të rrezikut të zhvillimit të demencës dhe një rritje prej 30% të rrezikut të incidencës së sëmundjes së arterieve koronare ose goditjes në tru.
E në fakt, edhe në vendin tonë, pacientët që pësojnë këto simptoma janë gjithnjë edhe në rritje. Kjo për shkakun se shumë prindër kanë ngelur të vetëm, si pasojë e largimit të fëmijëve të tyre jashtë vendit. Ikja e fëmijëve me një qëndrim të përhershëm, duke ardhur një herë në vit për të qëndruar pak ditë, ka sjellë që prindërit të vuajnë vetminë dhe mungesën e të dashurve të tyre.