Vettingu politik i Ramës e shkarkoi, prokurorja rikthehet në detyrë pas 5 vitesh

Vettingu politik i Ramës e shkarkoi, prokurorja…

Pas 5 viteve betejë gjyqësore Antoneta Sevdari rikthet në detyrën e prokurores të cilën e ndërpreu në shkurt 2019 me vendim të Kolegjit të Posaçëm Apelimi duke shënuar dhe precedentin e parë në sistemin e ri të drejtësisë. Ky është rasti i parë kur Kolegji i Posaçëm i Apelimit rishikon një vendim shkarkimi me formë të prerë.

Vendimi i cili u shpall sot (10 maj 2024), u mor me shumicë votash nga trupa gjykuese e përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz anëtarë.

“Lidhur me çështjen objekt gjykimi, dhënia e masës disiplinore e shkarkimit nga detyra është çmuar nga GJEDNJ se ka cënuar nenin 8 të Konventës, e vetmja alternativë për përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të zonjës Antoneta Sevdari është konfirmimi i saj në detyrë. Për pasojë vendimi I konfirmimit në detyrë duhet të lihet në fuqi”, lexoi vendimin kryesuesja Natasha Mulaj.

Për Sevdarin drejtësia u vu në vend. “Ndihem e gëzuar që arrita të marr drejtësinë që meritoja, kam 2-fish përgjegjësi të jem e përkushtuar ndaj drejtësisë” tha ajo në një prononcim për median pas vendimit.

Antoneta Sevdari u shkarkua në vitin 2019 nga vettingu politik i Edi Ramës. Që në momentin e parë të shkarkimit, Sevdari u zotua se do i shkonte deri në fund kësaj çështje, si dhe e cilësoi vendimin kundër saj si sulm politik. Më 13 dhjetor 2022 Gjykata e Strasburgut gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës dhe vuri në dukje se vendimi i shkarkimit i Antoneta Sevdarit ishte “disproporcional” dhe në shkelje procedurale.  Dënoi Shqipërinë që të dëmshpërblente ish-prokuroren me rreth 25 mijë euro dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit. I takon KLP-së të caktojë se në cilën prokurori do të marrë detyrën Sevdari ndërsa para shkarkimit ajo ka pasur detyrën e prokurores në Prokurorinë e Tiranës dhe njëkohësisht anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit