VIDEO/ Ndikimi i COVID-19 në Rajon/ Serbia me numrin me të lartë të humbjeve të jetëve, ja për çfarë renditet e para Shqipëria

VIDEO/ Ndikimi i COVID-19 në Rajon/ Serbia…

Shqipëria ka qenë vendi i parë i rajonit që ka konfirmuar rastin fillestar me COVID-19, ndërsa shtetet e tjera fqinje kanë sjell rastet e para pak ditë më vonë. Të dhënat e pesë shteteve ballkanike fqinje, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi dhe Serbi, pavarësisht numrit të popullsisë, kanë ndryshime jo vetëm në numra, por edhe për shkak të masave të ndryshme të marra nga qeveritë përkatëse për të përballuar situatën.

Referuar të dhënave të rasteve që janë regjistruar, Serbia mbanë vendin e parë me një total prej 9205 persona që janë të konfirmuar me virusin e rrezikshëm dhe që pasohet nga Maqedonia e Veriut, e cila deri më tani ka konfirmuar 1493 raste positive. Kosova vjen më pas me 813 raste positive, për t’u ndjekur nga vendi ynë, i cili ka konfirmuar këtë të shtunë edhe shtatë raste të reja, për të çuar numrin në total të të infektuarve në 782.

I fundit në rajon me numrin më të ulët të konfirmimeve pozitive është Mali i Zi, me vetëm 322 raste. Numri i konfirmimit të rasteve të reja është relative nga një vend në tjetrin për shkak të strategjisë që qeveritë e këtyre pesë vendeve kanë ndjekur. Në rastin e Shqipërisë është ndjekur strategjia për gjurimimin e rasteve dhe vatrave të dyshuara, ndërsa janë kryer testime masive, siç është për shembull rasti i Serbisë, e cila ka numër më të lartë testimesh dhe rrjedhimisht edhe numër më të lartë të konfirmuarish me coronavirus.

Referuar shifrave të testimeve, siç edhe mund të shikohet në tabelë, Serbia ka kryer shumë më shumë të tilla se të gjitha vendet e rajonit, ndërsa po i afrohet 100 mijëshit. E dyta është Maqedonia e Veriut, për t’u ndjekur nga Shqipëria dhe më tej edhe Kosova. Përsa i përket rasteve fatale që janë regjistruar si pasojë e COVID-19 sërish Serbia mbanë numrin më të lartë të vdekjeve, ndërsa që nga fillimi janë regjistruar 189 vdekje, për të vijuar më Maqedoninë e Veriut me 82 vdekje, Shqipëria me 31 dhe Kosova me 22 humbje fatale.

Përsa i përket të shëruarve, duket se lajme jo të mira vijnë nga Serbia, e cila e ka shumë të lartë hendekun e rasteve të konfirmuara dhe rasteve që kanë arritur të shërohen. Në Serbi vetëm 13% të të infektuarave kanë fituar betejën. Shifrat më pozitive të shërimeve janë në vendin tonë, ku deri tani janë shëruar rreth 40% e të infektuarve, ndjekur shumë afër nga Maqedonia e Veriut me 36.3%, dhe Kosova me 26.2 të rasteve të shëruara.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit