
Grupet kriminale shpërndanin kokainë dhe heroinë në Tiranë, arrestohen 24 persona dhe sekuestrohen drogë, armë e para
Një hetim disa mujor në Tiranë ka çuar në shkatërrimin e disa rrjeteve kriminale që shpërndanin drogë në zonën e njohur të Ish-Bllokut. Operacioni, i koduar “Blloku 33”, ka rezultuar në arrestimin e 24 shtetasve dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe armëve të zjarrit.
Në total janë identifikuar 42 persona të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme. Deri më tani janë ekzekutuar 25 masa sigurie, ku 24 individë janë ndaluar me masën “arrest në burg” dhe një tjetër me “arrest shtëpie”. Ndërkohë, vijon kërkimi për tetë persona të tjerë që janë shpallur në kërkim.
Gjatë kontrolleve në banesat dhe mjetet e të ndaluarve janë zbuluar dhe sekuestruar gati 2 kilogramë kokainë, rreth gjysmë kilogrami heroinë, dy pistoleta, 29 telefona celularë, 6 automjete, 4 peshore elektronike dhe shuma të mëdha parash në lekë dhe euro.
Të dhënat tregojnë se aktiviteti kriminal ishte i mirëorganizuar dhe i shtrirë në disa ambiente nate të Tiranës, ku shpërndaheshin në mënyrë të vazhdueshme doza të drogës. Gjatë hetimeve, janë arrestuar edhe 9 persona të tjerë dhe janë sekuestruar 85 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të një bashkëpunimi midis Seksionit të Hetimit të Narkotikëve dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm, duke përdorur metoda hetimore proaktive.
Në listën e të arrestuarve përfshihen persona të moshave të ndryshme, nga të rinj 19 vjeç deri në të rritur mbi 50 vjeç, të gjithë rezidentë në Tiranë. Emrat janë të dokumentuar në dosjen e procedurës që i është dorëzuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e veprimeve ligjore.
Autoritetet janë në ndjekje të të shpallurve në kërkim dhe vijojnë me dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, me qëllim goditjen e plotë të rrjeteve të shpërndarjes së drogave të forta në kryeqytet.