VIDEO/ Po filmonte shembjet e IKMT-së, shoqërohet forcërisht nga policia gazetari në Shëngjin

VIDEO/ Po filmonte shembjet e IKMT-së, shoqërohet…

Policia e Sandër Lleshajt e tregoi edhe një herë dhunën e pashoqe si ndaj qytetarëve, ashtu edhe ndaj mediave. Për të disatin rast të ripërsëritur në kohët e fundit, Policia e Shtetit ka treguar se drejtohet me urdhëra politikë dhe jo mbi bazën e ligjit dhe profesionalizmit.  

Edhe ditën e djeshme, u dha një tjetër shembull arbitrariteti nga ana e uniformave blu, kur u shoqërua nga Policia lokale në Shëngjin gazetari i “TV Rozafa”, Elvis Hila, i cili ishte duke raportuar në Lezhë për shembjen e disa ndërtesave pa leje.

Ishte vetë shefi i Rendit në Lezhë, Agron Qullhaje, i cili i mori telefonin dhe urdhëroi shoqërimin e tij për në Komisariat si të ishte një kriminel.

Gazetari ishte në krye të detyrës dhe po filmonte përplasjet e policisë me pronarët e objekteve që po shemben këto ditë në zonën e Shëngjinit nga IKMT-ja.

Por një veprim aspak profesional dhe ligjor i Shefit të Rendit, Qullhaja, i ka kufizuar forcërisht lirinë dhe të drejtën e ushtrimit të detyrës gazetarit. Ai u fut me forcë në automjetin e policisë, duke e mbajtur për mbi 10 minuta dhe vetëm pas trysnisë së kolegëve, punonjësit e policisë të zënë ngushtë dhe në flagrancë u detyruan ta lironin.

Lidhur me këtë precedent kanë reaguar gjerësisht komuniteti i gazetarëve, si dhe më në fund edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, që herë pas here zgjedh të anashkalojë incidente të caktuara që ndodhin mes punonjësve të medias dhe shtetit.

Përmes një postimi zyrtar, UGSH-ja, i ka bërë thirrje ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, që të vënë para përgjegjësisë autorët dhe urdhërdhënësit e dhunës ndaj gazetarëve.

Reagimi i plotë i UGSH-së:

“Aktet e ripërsëritura të dhunës policore mbi gazetarët janë dhunë shtetërore. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët dhe reporterët në detyrë. Një ditë më parë, në plazhet e qytetit të Shëngjinit, grupe policësh shoqëruan në prani të reporterëve lokalë dhe banorëve të shumtë reporterin Elvis Hila, ndërsa po filmonte dhe kryente detyrën e vet profesionale.

Autoritetet vendore të policisë nuk dhanë asnjë arsye zyrtare për këtë akt të dënueshëm. Kësaj heshtje iu nënshtruan edhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që sipas raportimeve nga dega e UGSH në Lezhë, bëhet e ditur se institucioni I SHKÇB ka nisur hetimet. Rasti i dënueshëm me kolegun në Lezhë është paraprirë gjatë tri muajve të fundit nga disa akte të tjera dhune, kërcënimi dhe deri prangosje në sytë e publikut të gazetarëve dhe reporterëve të ndryshëm.

Akti më i rëndë konsiderohet ai me gazetarin Alfred Lela, në datën 17 maj 2020 në Tiranë, mbi të cilin u hodh një skuadër policësh, duke e dhunuar e prangosur egërsisht. E njëjta gjë ndodhi edhe me disa reporterë dhe operatorë, mes të cilëve edhe operatori Mirsald Hajdarmataj i Report TV, i cili u godit dhe fye rëndë prej policëve në protestën që zhvillohej në Tiranë në mbrojtje të Teatrove Kombëtarë.

Raste të dhunës dhe arbitraritetit policor ka pasur edhe në qytetin e Fierit si në rastin e kryetarit të UGSH-së Vladimir Muçaj për këtë qark, ndaj të cilit në mënyrë absurde ka nisur edhe një proces gjyqësor, ndërkohë që vetë policia e shtetit përmes dokumentave të shkruar ka fajësuar policinë lokale.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon këtë natyrë të dhunshme të shpesh-shfaqur të strukturave policore në vend ndaj gazetarëve në detyrë. U drejtohemi krerëve të këtij institucioni në vend, përkatësisht Ministrit të Brendshëm zotit Sandër Lleshaj dhe Drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu të ushtrojnë autoritetin e tyre institucional për vënien para përgjegjësisë të autorëve dhe urdhërdhënësve të kësaj dhune mbi gazetarët.

Organizata jonë u adreson këtyre dy autoriteteve institucionale ankesën publike për shtimin e rasteve të shantazhit, kërcënimit të drejtëpërdrejtë dhe të tërthortë mbi gazetarët.

Gjejmë rast të rishprehim ankesën tonë, si organizata më e madhe e gazetarëve profesionistë në vend, për vijimin e praktikës së rasteve goditjeve, atentateve dhe kërcënimeve të pazbardhura e të pahetuara deri në fund ndaj disa gazetarëve.

Ne konstatojmë se shtimi i këtyre rasteve, ripërsëritja e tyre si dhe praktikat e shpeshta të mungesës së transparencës dhe informimit institucional, janë më shumë se një shmangie nga ligji, një precedent i rrezikshëm me pasoja dhe efekte tejet negative në marrëdhëniet institucionale mes mediave në përgjithësi dhe policisë së shtetit. Zyra e Shtypit/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit