Vijojnë të jenë të lirë tre të rinjtë që ndoqën dhe qëlluan me armë makinën në Kamëz

Vijojnë të jenë të lirë tre të…

Pas gati 15 orësh nga atentati me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Kamëz, policia ende nuk ka mundur të arrestojë asnjë nga autorët e ngjarjes. Tre persona janë shpallur në kërkim si të dyshuar për përfshirje në incidentin e ndodhur. Ata janë Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, 24 vjeç, si dhe Enedjo Kaci, 30 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 22 shkurtit, rreth orës 22:30, në afërsi të rrethrrotullimit të Bathores, në rrugën “New York”. Dyshohet se tre të rinjtë e shpallur në kërkim po udhëtonin në një makinë që ka ndjekur një tjetër automjet dhe ka hapur zjarr në lëvizje.

Sipas hetimeve, gjithçka ka nisur pas një sherri paraprak për motive të paqarta mes disa të rinjve, ku njëri prej tyre ka marrë makinën dhe është larguar me shpejtësi, ndërsa tre të tjerët e kanë ndjekur dhe qëlluar me armë. Nga të shtënat fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë arme, e cila është dërguar në laborator për analizë për të zbuluar llojin e armës që ka përdorur autori. Po ashtu, dy automjete të tjera të braktisura janë nën mbikëqyrjen e policisë, pasi dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë atentatit.

Njoftimi i Policisë:

Kamëz.

Policia identifikon dhe shpall në kërkim personat që qëlluan me armë nga një automjet drejt një automjeti tjetër, mbrëmjen e djeshme, në Kamëz.

Sekuestrohen dy automjeteve që dyshohet se janë përdorur nga tre shtetas të dyshuar si autorë si dhe punohet për lokalizmin e automjeti tjetër që janë larguar autorët pasi kanë braktisur automjetet që përdorën për të qëlluar me armë drejt një automjeti tjetër.

Vijon intensivisht kontrollet për kapjen e personave të shpallur në kërkim të dyshuar si autorë të ngjarjes.

Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një automjet në lëvizje nga brenda të cilit është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tjetër, ju informojmë se:

Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe një pune të pandërprerë është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim i autorëve të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasit D. M., 24 vjeç, F. K., 24 vjeç dhe E. K., 30 vjeç, të tre banues në Kamëz.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës janë gjetur dy automjete të braktisura, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët për tu larguar nga vendi i ngjarjes.

Po nga veprimet e para hetimore rezulton se 3 autorët e dyshuar të ngjarjes dyshohet se janë larguar me një automjet tjetër i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për gjetjen e automjetit , lokalizmin dhe kapjen e tre shtetasve të shpallur në kërkim.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit