Vijon operacioni ‘Parku’, shkon në 13 numri i të arrestuarve, kapet në Dhërmi 21 vjeçari i shpallur në kërkim

Vijon operacioni ‘Parku’, shkon në 13 numri…

Vijon operacioni policor i koduar “Parku”. Policia ka vënë në pranga një 21 vjeçar duke e çuar numrin total të të arrestuarve në 13.

Ditën e djeshme, Policia e Tiranës njoftoi se në kuadër të këtij operacioni ka arrestuar 12 persona dhe ka shpallur në kërkim 6 të tjerë.

Në vijim të hetimeve është arrestuar në Dhërmi shtetasi R. D., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Shtetasit e arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim merreshin me shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e ish-Parkut, në rrugën “Ndre Mjeda” dhe “Frosina Plaku”. Gjatë një periudhë njëvjeçare sipas policisë janë sekuestruar sasi me lëndë narkotike dhe shuma të ardhura nga shitja e lëndëve narkotike.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Vijon operacioni policor i koduar “Parku”.

Shkon në 13 numri i të ndaluarve.

Kapet dhe vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni.

Në vijim të operacionit policor të koduar “Parku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lëndëve narkotike, finalizuar një ditë më parë nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në DPPSH, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 12 shtetas, ka vijuar puna me hetime të thelluara për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të hetimeve është shpallur në kërkim edhe shtetasi R. D., pasi ka rezultuar se ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Ne vijim të operacionit, nga shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në koordinim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Dhërmi, e shtetasit R. D.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, e cila i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për  veprën penale  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, u bë ndalimi i shtetasit R. D., 21 vjeç.

Ky shtetas, në bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar, merrej me veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit