Zjarri vijon të djegë sipërfaqe me pisha në Krastë të Krujës, ndërsa zjarrfikësit po luftojnë prej orësh për të vënë nën kontroll flakët. Përballë një terreni të vështirë malor dhe erës së fortë që favorizon përhapjen e zjarrit, ata po detyrohen të ndërhyjnë me pompa krahu dhe mjete të kufizuara. Në vend të pajisjeve moderne që do ta lehtësonin ndërhyrjen, heronjtë e zjarrfikëses po përballen vetë me vështirësitë e terrenit.
Pamjet nga terreni ngrenë edhe një herë pikëpyetje mbi kushtet në të cilat punojnë zjarrfikësit në Shqipëri. Ata vendosin jetën në rrezik për të mbrojtur pyjet dhe pronat, ndërsa mungesa e mjeteve dhe vështirësitë për të ndërhyrë në zona malore e bëjnë çdo operacion edhe më të rrezikshëm. Sakrifica e tyre është e madhe, por pyetja mbetet, sa më shumë duhet të presim që këta njerëz të pajisen me mjetet që u duhen për të bërë detyrën e tyre?
Ndërsa institucionet njoftojnë se situata po monitorohet dhe se operacioni po koordinohet nga strukturat e mbrojtjes civile, në terren janë sërish zjarrfikësit ata që përballen drejtpërdrejt me flakët. Ata janë heronjtë që nuk tërhiqen përballë rrezikut, por përballja e tyre me zjarret nuk duhet të kthehet në një betejë me mjete të pamjaftueshme. Pyjet digjen, ndërsa zjarrfikësit luftojnë me gjithçka kanë në dispozicion.