Vijon rënia e lindjeve në vend, vetëm 5 qarqe me shtesë natyrore

Vijon rënia e lindjeve në vend, vetëm…

Shqipëria e ka mbyllur tremujorin e dytë të vitit 2026 me bilanc natyror pozitiv, ndonëse lindjet vijojnë të jenë në rënie. Sipas të dhënave paraprake të INSTAT, gjatë periudhës prill-qershor u regjistruan 5.083 lindje dhe 4.865 vdekje, duke rezultuar në një shtesë natyrore prej 218 banorësh.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, lindjet ranë me 3%, ndërsa vdekjet me 3,7%. Pavarësisht bilancit pozitiv, rënia e lindjeve mbetet një tregues shqetësues për zhvillimet demografike të vendit dhe lidhet me plakjen e popullsisë dhe tkurrjen e bazës demografike.

Tirana kryeson, Korça me bilancin më negativ

Sipas qarqeve, vetëm pesë prej tyre regjistruan shtesë natyrore pozitive, ndërsa në shtatë qarqe numri i vdekjeve ishte më i lartë se ai i lindjeve.

Tirana vijon të jetë qarku me bilancin më të lartë pozitiv, me 1.033 lindje më shumë se vdekje. Në të kundërt, Korça regjistroi 265 vdekje më shumë se lindje.

Kryeqyteti kryeson edhe për numrin e lindjeve, me 2.310 foshnja të lindura gjatë tremujorit të dytë, ndërsa Gjirokastra regjistroi vetëm 66 lindje.

Megjithatë, Tirana shënoi edhe rënien më të madhe të lindjeve në nivel qarku, me 12% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritjen më të lartë e regjistroi Dibra, me 14,6%.

Vdekjet në rënie në shumicën e qarqeve

Në nëntë qarqe numri i vdekjeve u ul krahasuar me një vit më parë, ndërsa në tre të tjera u shënua rritje.

Tirana regjistroi numrin më të lartë të vdekjeve, me 1.277 raste, ndërsa Kukësi më të ulëtin, me 97. Rritjen më të madhe e pati Durrësi, me 10,4%, ndërsa Kukësi shënoi rënien më të fortë, me 22,4%.

Edhe pse shtesa natyrore është rikthyer në vlera pozitive, të dhënat e tremujorit të dytë tregojnë se Shqipëria vijon të përballet me sfidën e rënies së lindjeve, në një kohë kur plakja e popullsisë dhe emigracioni po ndikojnë gjithnjë e më shumë në strukturën demografike të vendit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit