Dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me një procedurë prokurimi prej rreth 700 mijë eurosh në Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare ka nxjerrë në pah një skemë të mirëkoordinuar për favorizimin e një operatori ekonomik. Sipas organit të akuzës, provat e siguruara tregojnë se ish-drejtuesi i KESH-it, Ervis Berberi, zyrtarja Adela Ruko dhe biznesmeni Dritan Dakoli kanë vepruar në bashkëpunim për të kurorëzuar fitues kompaninë e lidhur me Ervis Myftarin.
Nga hetimet rezulton se Dritan Dakoli, në cilësinë e aksionerit të kompanisë “Euronet”, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Berberin gjatë gjithë zhvillimit të tenderit. Lidhjet mes Dakolit dhe fituesit të procedurës, Ervis Myftari, datojnë që në të kaluarën nëpërmjet angazhimeve të përbashkëta profesionale dhe strukturave të kompanive që ata përfaqësojnë.
Komunikimet e administruara nga hetuesit dëshmojnë se si koordinoheshin lëvizjet ditë pas dite për shpalljen e fituesit dhe plotësimin e dokumentacionit ligjor.
Pjesë nga dosja e SPAK:
Më datë 23.01.2020, në orën 08:27, shtetasja Adela Ruko i ka dërguar mesazh Ervis Berberit me përmbajtjen:
“Babe, sot del njoftimi i fituesit për Harvardin.”
Ervis Berberi i është përgjigjur:
“OK.”
Më pas, Ruko i ka dërguar një tjetër mesazh, ku shkruante:
“Ju thuaj të bëjnë gjithë dokumentacionin e hedhur në sistem, bashkë me sigurimin e kontratës, që kur të të them të vijnë t’i sjellin që të lidhim kontratën.”
Ervis Berberi i është përgjigjur:
“Pa merak se i kanë.”
Më tej, Adela Ruko i ka kërkuar edhe numrin e llogarisë bankare dhe IBAN-in.
Në orën 13:05, Ervis Berberi i ka dërguar mesazh Dritan Dakolit me përmbajtjen:
“Del njoftimi i Harvardit sot. Bëj gati letrat që të firmosësh kontratën.”
Dakoli i është përgjigjur:
“OK vëllai. Nesër e pimë një kafe?”
Një ditë më pas, më 24.01.2020, në orën 08:49, Adela Ruko i ka dërguar mesazh Ervis Berberit:
“Thuaju pak të sjellin dokumentet dhe sigurimin e kontratës sot, ata të Harvardit.”
Berberi i është përgjigjur:
“OK, do vijnë.”
Në orën 08:50, këtë mesazh Ervis Berberi ia ka përcjellë Dritan Dakolit, i cili i është përgjigjur:
“Hahaha, ne çunat e Harvardit. OK, patjetër. Vëllai, më jep një numër kontakti.”
Më 25.01.2020, në orën 10:47, Dritan Dakoli i ka shkruar Ervis Berberit:
“Viso, mirë? Paradhënie do ketë me pyet Harvardi?”
Berberi i është përgjigjur:
“Se ka ndarë akoma.”
Më pas, Dakoli i ka shkruar:
“Se duan paratë ato me fillu punë. U mësuan dhe keq me atë kontratën e katundit. Aty paradhënie 50%.”
Ervis Berberi i është përgjigjur:
“Po aq s’bëhet fjalë.”
Më tej, Dakoli i ka shkruar:
“Sa të jetë, brenda ligjit.”
Lidhjet e Kompanisë Fituese dhe Aksionerëve
Operatori ekonomik që u shpall fitues i procedurës së prokurimit është shoqëria “Consulting & Management Albania” sh.p.k., e themeluar më 19 shtator 2008. Në kohën e zhvillimit të tenderit, aksionerë të kësaj kompanie ishin Ervis Myftari me 66% të kuotave dhe Skënder Bedalli me 34% të aksioneve.
Të dhënat e siguruara nga hetimi tregojnë se Ervis Myftari ka qenë i punësuar pranë shoqërisë “R&T” sh.p.k. gjatë periudhës korrik 2017 deri në gusht 2022. Ndërkohë, Dritan Dakoli rezulton i punësuar në po këtë shoqëri që nga nëntori i vitit 2011, ndërkohë që prej qershorit të vitit 2019 është bërë gjithashtu aksioner i kompanisë “Euronet” sh.p.k.
Për sa i përket gjurmëve digjitale të lidhjeve mes subjekteve, kompania “Euronet” kishte deklaruar në sistemin tatimor të dhënat e kontaktit elektronik me adresën e e-mailit të lidhur me Ervis Myftarin. E njëjta adresë elektronike rezulton të jetë përdorur zyrtarisht edhe nga shoqëria “Calypso Group Limited” sh.p.k., ku administrator dhe pronar i vetëm figurohet po shtetasi Ervis Myftari.