Një skandal i rëndë i keqmenaxhimit dhe abuzimit me shëndetin publik ka shpërthyer në qytetin e Vlorës, ku ndërsa drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve ka derdhur miliona për dezinfektim në letër, qytetarët dhe fëmijët e kopshteve përfunduan në spital të helmuar nga uji i pijshëm i kontaminuar.
Në qendër të këtij tenderi skandaloz qendron drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë, Klevis Kaso, i cili i ka hapur rrugën kalimit të miliona lekëve te kompania “Atlantik 3” për blerjen e lëndëve dezinfektante, hipokloritit të natriumit dhe hipokloritit të kalciumit.
Kompania “Atlantik 3” me pronarë Ridjon Hoxhën, Valdete Hoxhën dhe Ornela Hoxhën është shpallur fituese 2 muaj më parë e një kontrate me vlerë mbi 80 MILIONË LEKËSH. Biznesi familjar dhe drejtori duket se ka ndarë paratë e taksave të qytetarëve teksa këta të fundit e fëmijët e tyre dergjen të helmuar në shtretërit e spitalit.
E thënë thjesht, vlonjatët i kanë paguar 80 MILIONË Lekë nga taksat e tyre për pazaret e drejtorit Kaso me privatin…
Por ndërsa paratë e taksave të qytetarëve janë shpërndarë për “higjienizim dhe deratizim”, realiteti në terren është tragjik. Analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e baktereve fekale E. coli në ujë, ndërsa në komunikatat zyrtare të terrenit niveli i klorit rezidual në disa lagje të Vlorës ka rezultuar zero ose në kufij kritikë, duke lënë rrjetin plotësisht të pambrojtur.
Ky dështim i hapur i detyrimit kontraktues ka shkaktuar helmimin e fëmijëve të Kopshtit nr. 10 dhe dhjetëra qytetarëve të tjerë, të cilët janë paraqitur në spital me simptoma të rënda helmimi.