
Viti 2023 do të jetë një tjetër vit i vështirë për ekonominë e Shqipërisë por edhe për shqiptarët. Leku nuk pritet të fuqizohet dhe përballë inflacionit, kostot e jetesës do të vijojnë të mbeten të larta. Në këtë përfundim del Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke ulur parashikimin për rritjen e ekonomisë shqiptare në vitin 2023. Nga 2.5% që ishte pritshmëria në raportin e muajit tetor, sot Fondi vlerëson se ekonomia e vendit do të rritet me 2.2%.
Vështirësi do të ketë edhe referuar çmimeve të shportës dhe shërbimeve. FMN parashikon që inflacioni do të vijojë të mbetet i lartë edhe në vitin 2023, me një mesatare prej 5%, nga 6.7% që ishte në vitin 2022. Për Shqipërinë rekomandohet që qeveria duhet të synojnë për politika shtrënguese, duke ofruar mbështetje të synuar për ata që po luftojnë më shumë me krizën e kostos së jetesës. Thënë ndryshe, qeveria duhet të ndihmojë shtresën e varfër dhe jo të shpërdorojë paratë e taksapaguesve.
E njëjta krizë nuk paraqitet në nivele kaq të larta në vendete rajonit. Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtetet që pritet të kenë ecurinë më të mirë ekonomike në 2023, me përkatësisht 3.5 dhe 3.2%. Ndihma që këto shtete kanë dhënë ndaj shtresave më në nevojë për të kapërcyer krizën duket se ka dhënë efekt, duke bërë që ekonomia të çlirohet dhe paraja të qarkullojë.