Një qytetar ka denoncuar në redaksinë tonë një situatë që lidhet me mosrimbursimin e parave nga platforma e shitjes së biletave Vivere (vivere.al) pas anulimit të një eventi.
Sipas denoncuesit, më 21 shkurt 2026 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë ishte planifikuar të zhvillohej shfaqja “The Nutcracker – Balet në Akull”. Për këtë event, familja kishte blerë 5 bileta në vlerën totale prej 190.49 euro, të paguara që në dhjetor të vitit të kaluar.
Qytetari thotë se shfaqja u anulua vetëm një ditë para zhvillimit të saj dhe Vivere kishte njoftuar zyrtarisht se rimbursimi i plotë i shumës do të kryhej brenda 60 ditëve. Megjithatë, sipas tij, edhe pas disa muajsh paratë ende nuk janë kthyer në llogari.
Denoncuesi shprehet se kompania, në vend të kthimit të shumës, ka tentuar t’i konvertojë biletat në “kredit” ose bileta për evente të tjera, gjë të cilën ai thotë se e ka refuzuar në mënyrë të përsëritur përmes email-eve zyrtare.
“Kam kërkuar kthimin e parave dhe nuk kam pranuar konvertimin e biletave. Pavarësisht kësaj, vazhdojnë të më dërgojnë njoftime automatike sikur konvertimi është bërë”, pretendon qytetari.
Ai bën me dije se përgjigjen e fundit në WhatsApp nga kompania e ka marrë më 13 maj, ndërsa përmes email-it më 5 qershor i është komunikuar se rimbursimi do të kryhej, pas ankesave të tij për mospranimin e konvertimit. Sipas tij, më pas ka marrë sërish një njoftim ku thuhej se biletat ishin konvertuar automatikisht, edhe pse ai kishte deklaruar disa herë se nuk ishte dakord.
Ai kërkon gjithashtu që platforma në fjalë, e akuzuar edhe nga qytetarë të tjerë për të njejtën skemë, të verifikojnë rastin dhe mënyrën e trajtimit të kërkesave për rimbursim nga platforma.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ! Dua të denoncoj një mashtrim dhe tallje që po na bëhet nga platforma e shitjes së biletave Vivere (vivere.al). Më datë 21 Shkurt 2026, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ishte paraparë të mbahej shfaqja “The Nutcracker – Balet në Akull”. Për këtë event kemi blerë 5 bileta familjare në vlerë prej 190.49 Euro që në dhjetor të vitit të kaluar. Shfaqja u anulua një ditë para se të mbahej me premtimin zyrtar nga Vivere se paratë do të rimbursoheshin plotësisht brenda 60 ditëve.
Sot, pas gati 5 muajsh, paratë nuk janë kthyer ende në llogari! Në vend të rimbursimit monetar, kompania tenton të na detyrojë në mënyrë të njëanshme që t’i konvertojmë këto para në “kredi” apo bileta për koncerte të tjera (si Bryan Adams apo Kanye West). Edhe pse u kemi dërguar email-e zyrtare ku e refuzojmë kategorikisht këtë kushtëzim dhe kërkojmë paratë tona mbrapsht, ata vazhdojnë të dërgojnë njoftime automatike duke u treguar totalisht joprofesionistë dhe duke shkelur çdo afat ligjor e premtim që kanë dhënë vetë. Kjo nuk është thjesht vonesë, por një vjedhje e pastër e djersës së qytetarëve duke mbajtur paratë tona të bllokuara për muaj të tërë.
Ju lutem publikojeni që të njoftohen edhe qytetarët e tjerë që mund të jenë dëmtuar nga kjo kompani dhe të merren masa nga autoritetet kompetente! Po ju bashkangjis edhe dëshmitë: biletat e blera, konfirmimin e pagesës nga banka dhe email-et e fundit ku na ofrojnë “konvertime” në vend të parave. (Ju lutem më ruani anonimatin). Në WhatsApp përgjigjjen e fundit nga ta e kam me 13 maj Kurse me email me 5 qershor, më shkruajnë se do të bëhet rimbursimi, pas protestës sime se nuk dua që biletat të konvertohen
Pastaj, sot me vjen përsëri një email ku më thonë që biletat janë konvertuar automatikisht Edhe pse kam dërguar disa emaile, që nuk pajtohem vazhdon i njejti avaz

