Vizita e Zelenskyt në Shqipëri, bllokohen rrugët e Tiranës

Vizita e Zelenskyt në Shqipëri, bllokohen rrugët…

Sot pritet për herë të parë në Tiranë, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky. Pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X” kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për të gjithë Evropën. Zelensky do të marrë pjesë në Samitin për Ukrainën, që do të organizohet një ditë më pas. Më 28–29 shkurt Tirana do të mirëpresë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore në kuadër të samitit që do të organizohet për Ukrainën. Lufta e paligjshme ruse në Ukrainë, pasojat dhe plani i rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor janë dy çështjet për diskutim. Tirana do të jetë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa disa akse do të jenë të bllokuara në intervale të ndryshme kohore.

Policia e Shtetit publikoi dje rrugët që do të bllokohen gjatë këtyre ditëve. Rruga “Rinas–Qafë Kashar” dhe anasjellas; – Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjellas; Unaza e Madhe, nga ishsheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit dhe anasjelltas; Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas. Gjithashtu, të gjitha rrugët që lidhin Rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara. Në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe për këtë arsye do të njoftohen të gjithë banorët e zonës, për mosparkim të mjeteve në këto segmente. Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Fushë Prezë – Rinas”. Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Vorë- rruga e vjetër e Fushë-Krujës”. Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga juglindja, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Elbasan – rreth-rrotullimi TEG – Lindore- Paskuqan -Kamëz – kryqëzimi i Valiasit-Rinas”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit