Vlora në krizë uji në kulmin e verës: banorët në hall, institucionet heshtin

Vlora në krizë uji në kulmin e…

Banorët e Vlorës ankohen për mungesë të theksuar uji të pijshëm, ndërsa institucionet nuk ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete pas ditësh të tëra me ndërprerje

Në kulmin e temperaturave të larta dhe sezonit turistik, qyteti i Vlorës po përballet me mungesë të rëndë të ujit të pijshëm. Banorët e lagjeve Kushtrimi, Pavarësia dhe zona pranë Stacionit të Trenit janë më të prekurit nga kjo situatë, që ka shkaktuar shqetësim të madh dhe revoltë në rritje.

Qytetarët ankohen se uji vjen vetëm për pak minuta në mëngjes dhe mbrëmje, pa presion dhe me cilësi të dobët. Shumë prej tyre nuk arrijnë as të mbushin enët bazë për përdorim ditor, ndërsa të tjerë thonë se janë të detyruar të ndezin pompat për të pasur sadopak furnizim.

“Uji që vjen nuk pihet, është me pakicë dhe i ndotur,” – shprehet një banore, ndërsa të tjerë shtojnë: “Turp i madh për këtë qytet bregdetar të mos ketë ujë në të nxehtin përvëlues”.

Edhe pse qyteti është destinacion turistik dhe pret vizitorë të shumtë, mungesa e ujit ka bërë që kushtet e jetesës të përkeqësohen ndjeshëm, duke ndikuar edhe tek imazhi i turizmit në rajon.

Prefekti i Vlorës, Plator Nesturi, deklaroi se është në kontakt me bashkinë dhe Drejtorinë Rajonale të Ujësjellësit për të menaxhuar këtë situatë. Por përtej premtimeve, nuk ka ende asnjë veprim konkret për të përmirësuar furnizimin.

Sipas një njoftimi të Ujësjellësit më 9 qershor, shkak për ndërprerjet janë bërë stakimet e energjisë elektrike dhe një defekt teknik në një nga stacionet kryesore. Megjithatë, kanë kaluar mbi 10 ditë dhe gjendja vazhdon të përkeqësohet, pa një zgjidhje në horizont.

Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, pasi situata rrezikon të kthehet në një krizë shëndetësore dhe sociale për qytetin e Vlorës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit