Vlora si Venecia! Rrugët dhe makinat mbulohen nga uji, kanalizimet të bllokuara

Vlora si Venecia! Rrugët dhe makinat mbulohen…

Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë qytetin e Vlorës kanë shkaktuar probleme në disa prej akseve rrugore. Sasi të konsiderueshme uji janë grumbulluar në rrugë dhe trotuare, duke penguar lëvizjen normale të automjeteve dhe këmbësorëve.

Një ndër zonat më të prekura është rruga “Albano Romina”, në lagjen “Lef Sallata”, ku prezenca e ujit e ka bërë thuajse të pamundur kalimin normal. Bëhet fjalë për një problematikë të përsëritur, pasi kjo zonë përballet me të njëjtën situatë sa herë që qyteti përfshihet nga reshje të forta.

Vështirësi në qarkullim raportohen gjithashtu në Plazhin e Vjetër dhe në zonën e Skelës, pranë rrugës “Kosova”. Probleme të ngjashme janë evidentuar edhe në rrugën “Hasan Kushta”, si dhe në aksin pranë bibliotekës së qytetit.

Përveç pengesave në lëvizje, grumbullimi i ujit përbën shqetësim edhe për bizneset përgjatë këtyre akseve, pasi rreziku i depërtimit të ujërave në ambientet e tyre mbetet i pranishëm.

Situata e krijuar rikthen edhe një herë në vëmendje problematikën e përmbytjeve në Vlorë, të cilat përsëriten sa herë ka reshje me intensitet të lartë, duke ngritur pikëpyetje mbi kapacitetin e sistemit të kullimit dhe kanalizimeve për përballimin e prurjeve të ujit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit