Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me shtatë vjet burgim dhe 500 euro gjobë personin me inicialet A.M., i shpallur fajtor për veprën penale të grabitjes.
Vendimi është marrë pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, në një proces të udhëhequr nga trupi gjykues me kryetar gjyqtarin Sulltan Dobraj.
Rasti për të cilin A.M. është dënuar ka ndodhur më 1 qershor 2026, rreth orës 17:50, në afërsi të këndit të lojërave “Kids Center”, në rrugën “Ferid Domi” në Gjakovë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, A.M., në bashkëpunim me dy të mitur, kishte lënë takim me të dëmtuarin E.B. Por, takimi kishte përfunduar në një përleshje, gjatë së cilës i pandehuri dyshohet se e kishte sulmuar viktimën me një thikë në dorë.
Ai fillimisht e kishte kapur nga qafa dhe kishte tentuar t’ia merrte çantën, ndërsa gjatë përleshjes e kishte goditur disa herë me dorezën e thikës në krahun e majtë. Më pas, ia kishte prerë rripin çantës dhe ishte larguar me të.
Nga portofoli brenda çantës, sipas aktakuzës, A.M. kishte marrë 115 euro. Pas kontrollimit të çantës, ai dhe dy të miturit e kishin sulmuar sërish viktimën, duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Ndaj këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të vendimit në formë të shkruar.