Vodhi bombolat e oksigjenit nga spitali, gjykata jep vendimin për Mensur Shtyllën

Vodhi bombolat e oksigjenit nga spitali, gjykata…

Gjykata e Kavajës vendosi masën arrest me burg ndaj Mensur Shtyllës, oksigjenist i spitalit të Kavajës i akuzuar nga prokuroria se vodhi 24 bombola oksigjeni nga depoja e spitalit, duke ja dhënë të afërmve të personave të prekur me “COVID-19”.

Vendimi për punonjësin e spitalit Kavajë, është marrë të hënën nga Gjykata e këtij qyteti, e cila pasi ka shqyrtuar dosjen me materialin hetimor dhe kërkesën e prokurorisë. Grupi i hetimit pak ditë më parë vendosi ti ndryshojë akuzën Mensur Shtyllës, nga “Shpërdorim detyre” në “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.

Para grupit hetimor, Mensur Shtylla, ka treguar se:“Kam rreth 16 muaj që punoj në spitalin e Kavajës me detyrë oksigjenist. Kam marrë bombola nga spitali dhe i kam dhënë banorëve të ndryshëm të Kavajës, për shkak të nevojave që kanë pasur, pasi si qytetar i Kavajës kisha njohje me ta. Unë kam vepruar vetë, kam pasur kopje çelësi dhe nuk kam bashkëpunuar me ndonjë person tjetër dhe nuk kam njoftuar eprorët e mi për këto veprime që kam kryer. Gjithçka e kam bërë për humanizëm”.

Skandali është zbuluar nga drejtoresha e spitalit të Kavajës, të cilës vartësit i kishin rekomanduar blerjen e bombolave të reja të oksigjenit, pasi nuk kishte gjendje në magazinë. Pas verifikimeve të para, titullarja ka zbuluar se bombolat e oksigjenit nuk ishin përdorur nga spitali dhe më pas kontrolli fizik në magazinë ka konfirmuar mungesën e tyre.

Menjëherë policia ka vënë në vëzhgim oksigjenistin Mensur Shtylla, i cili ka rezultuar se i merrte pa leje bombolat e spitalit dhe u dërgonte në banesat e qytetarëve të prekur nga Covidi kundrejt pagesës.

Lidhur me rastin reagoi dy ditë më parë dhe PD, duke deklaruar se Shtylla është nipi i ish-drejtorit të Spitalit të Kavajës, që u emërua në shkelje të ligjit.

/boldnews

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit