Vodhi topin e firmosur nga Neymar, braziliani dënohet me 17 vite burg

Vodhi topin e firmosur nga Neymar, braziliani…

Një shtetas brazilian është dënuar me 17 vite burg për vjedhjen e një topi futbolli të firmosur nga Neymar, gjatë protestave të dhunshme të janarit 2023 në Brazil, të organizuara nga mbështetës të ish-presidentit Jair Bolsonaro.

Nelson Ribeiro Fonseca Junior, 34 vjeç, u shpall fajtor nga Gjykata e Lartë për disa akuza, përfshirë vjedhjen e topit, tentativën për grusht shteti, shkeljen me dhunë të rendit demokratik, dhe pjesëmarrjen në një grup të armatosur kriminal.

Topi i firmosur nga Neymar ishte dhuruar në vitin 2012 nga klubi i fëmijërisë së futbollistit, Santos, për Dhomën e Deputetëve. Ai u vendos në një korridor të Kongresit si pjesë e trashëgimisë publike.

Ribeiro pranoi se kishte marrë topin gjatë trazirave, por avokatët e tij pretenduan se ai e kishte gjetur në dysheme dhe më pas e kishte dorëzuar në polici pas 20 ditësh.

Gjykatësi Alexandre de Moraes tha se Ribeiro kishte marrë pjesë aktivisht në sulmin ndaj institucioneve më të larta të shtetit: Kongresit, Gjykatës së Lartë dhe Pallatit Presidencial.

Më shumë se 500 persona janë dënuar deri më tani për rolin e tyre në ngjarjet e 8 janarit 2023, të cilat ndodhën vetëm një javë pasi presidenti i ri Luiz Inacio Lula da Silva mori detyrën, pas një fitoreje të ngushtë ndaj Bolsonaros.

Protestuesit kërkonin ndërhyrje ushtarake për rrëzimin e Lulës, ndërsa vetë Bolsonaro, ndonëse ndodhej në SHBA në atë kohë, është nën hetim për planifikim të një grushti shteti, i cili sipas prokurorisë dështoi për mungesë mbështetjeje nga ushtria. Ai i mohoi të gjitha akuzat.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit