Vrasësit e Ardian Nikulajt u gjetën, ekzekutorët e Mimoza Pajës dhe Pal Kolës nuk dihen ende

Vrasësit e Ardian Nikulajt u gjetën, ekzekutorët…

Editorial i TVA

Në Shqipëri jeta ka çmim. Nëse je i varfër mund të vdesësh edhe për 120 lekë, aq sa kushton një plumb, e nëse je i pasur mund të vlesh edhe 500 mijë euro. Madje në Shqipëri edhe vdekja ka çmim. Nëse fati të qellon të jesh i varfër, pak flitet për ty, e nëse ke qenë i pasur, emri yt nuk do të harrohet kurrë. E kësisoj, të lindësh, të rritesh dhe të vdesësh në Shqipëri, gjithmonë ka një çmim.

Për Mimoza Pajën, 58-vjeçaren që punonte banakiere dhe që u vra në sy të mbesës pa i’a pasur kërkujt jetën borxh, çmimi ishte fare i lirë. Dy ekzekutorë zbrazën kallashin me plumba, vranë atë, plagosën 5 qytetarë të tjerë të pafajshëm dhe i’a mbathën. Policia kishte dëshmitarë, pistë hetimi, pamje, emra dhe prova materiale, por deri më sot asgjë. Vrasësit e saj nuk janë identifikuar, ata kush e di ku shëtisin diku të lirë dhe kjo histori do të harrohet shpejt.

Në kufijtë e harresës është edhe jeta e Pal Kolës. I moshuari që ishte i detyruar të punonte turni i tretë pranë godinës së një televizioni. Një nga 26 plumbat që goditën fasadën e godinës, kapi në tru Palin. Ai ndërroi jetë me 5 lekë në xhep. Jetonte në një shtëpi të rrënuar dhe pa mundësi të tjera jetese. Policia edhe në këtë rast kishte pamje, pistë hetimi, prova materiale por vrasësit e Palit ende nuk janë identifikuar.

Vrasja e Ardian Nikulajt u zbardh brenda pak ditësh. Padyshim një krim i rëndë që shokoi opinionin në vend dhe që cënoi rendin dhe sigurinë. Ndryshe nga Mimoza dhe Pali që nuk i kishin borxh askujt, Ardiani i njihte ata që e donin të vdekur, madje kishte nisur të mbrohej dyfish. Ekzekutorët e tij janë identifikuar, arrestuar dhe pritën të ekstradohen. Padyshim një lajm i mirë por përse lajme të mira nuk kemi edhe për ata të cilët shtin ndaj Mimoza Pajës dhe Pal Kolës.

Në këtë botë të gjithë kemi ardhur lakuriq, dhe do të largohemi me një arkivol, pa sjell dhe pa marrë asgjë me vete. Ama, çmimi i jetës mbetet përcaktues!

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit