Gjykata e Apelit e Bolonjës uli nga 17 në 15 vjet dënimin për autorin e vrasjes së Aurora Tilës, 13-vjeçares shqiptare që humbi jetën më 25 tetor 2024 në Piacenza, pasi ish-i dashuri i saj e hodhi nga ballkoni. Vendimi ka shkaktuar dhimbje dhe zemërim te familja e vajzës, ndërsa nëna e saj, Morena Corbellini, foli për këtë ngjarje në emisionin “Verissimo”.
“Kur u lexua dënimi, ndjeva dhimbje të madhe, dhimbje të pafundme, një disfatë. Besoja aq shumë në drejtësi, dhe sot nuk besoj më në të”, tha ajo, duke shprehur zhgënjimin e saj për vendimin. Corbellini e konsideron dënimin me 15 vite burg të papranueshëm dhe rrëfeu se, pas daljes nga gjykata, u kthye në dhomën e vajzës për t’i kërkuar falje që nuk arriti të merrte atë që kishte shpresuar.
Megjithatë, nëna e 13-vjeçares tha se nuk e konsideron të përfunduar betejën e saj. “Beteja nuk ka mbaruar. Dua të kuptoj pse dënimet janë kaq të ulëta për ata që vrasin”, u shpreh ajo, duke theksuar se do të vijojë të kërkojë përgjigje dhe drejtësi për vajzën e saj.