Vrasja e Pëllumb Metës në Shënavlash të Durrësit, ka tronditur jo pak opinionin publik. Në pranga deri më tani kanë rënë tre fëmijët e viktimës, si dhe kanë nisur hetimet në gjendje të lirë për bashkëshorten e 50-vjeçarit Blerina Meta. Në një konferencë urgjente për mediat, policia bën me dije se ka qenë djali i madh ai që ka qëlluar me armë, e cila është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
“Nga gjithë provat e siguruara nga veprimet hetimore u gjetën provat dhe arrestuam në flagrancë Hysen Metën, Hygerta Metën, të dy fëmijë të viktimës që kanë qenë bashkautorë. Është arrestuar edhe Amarildo Meta i cili me veprimet aktive ka ndihmuar në krim, po hetohet edhe Blerina Meta. Siç e keni parë sot policia ka qenë e fokusuar në vendin e ngjarjes. Rezultoi se vrasja ka ndodhur në ambientet e brendshme të banesës, në një nga dhomat, më pas trupi është varrosur në kasollen që ndodhej aty afër. Gjatë këtyre veprimeve në banesë është gjetur dhe një predhë dhe armës së zjarrit kallashnikov”, tha drejtori i policisë Durrës Skënder Hita.
Deri tani të gjithë të arrestuarit kanë deklaruar se e kanë kryer krimin pasi babai ka qenë i dhunshëm dhe autoritar, si dhe ka vendosur të fejojë vajzën pa dëshirë. Por policia e Durrësit bëri me dije se në datën 10 shkurt ata kanë marrë kallëzim nga familjarët se Pëllumb Meta është zhdukur. Me marrjen e kallëzimit, më 17.2.2024 është bërë e mundur gjetja e mjetit që përdorte Pëllumb Meta në Shënavlash. Menjëherë u ngrit grupi hetimor, u hodhën pistat e hetimit, se rasti nuk ishte zhdukje personi, por vrasje në familje. Në 22 shkurt policia arriti të gjente edhe trupin e viktimës i cili ishte i varrosur në ambientet e brendshme të banesës, në një kasolle. Pasi u krye zhvarrimi i trupit, ekspertiza vërtetoj se 50-vjeçari ishte vrarë me armë zjarri.
Por detaji që i ka “tradhtuar” fëmijët në realizimin e ngjarjes ka qenë telefoni. Fëmijët e Pëllumb Matës e kishin harrar celularin në xhepin e viktimës. Nga ky detaj, policisë i rezultoj që viktima ndodhej në shtëpi, prandaj dhe i kanë hyrë kërkimeve rreth shtëpisë. Makina është çuar në Sektor Rinia për të kamufluar vrasjen si mbytje në det, dhe policia ka kërkuar për disa ditë gjjthë bregun e detit.