Vrasja e adoleshentit në Gramsh/ Evis Kushi: Nuk ndodhi brenda shkollës, e kemi prioritet sigurinë

Vrasja e adoleshentit në Gramsh/ Evis Kushi:…

Evis Kushi, ministrja e arsimit, ka reaguar për ngjarjen e rëndë ndodhur në Gramsh, ku një adoleshent humbi jetën pasi u godit me thikë nga bashkëmoshatarët e tij. Lajmi i mirë për Kushin duket se është fakti se vrasja nuk ka ndodhur brenda ambjenteve të shkollës, por në rrugë. Ndërsa lajmi super i mirë për ministren është njoftimi i saj se siguria në shkolla është një prioritet në rritje.

Me një deklaratë skandaloze ku kërkon të marr kredite politike, ministrja Kushi as që denjon të kërkojë falje për dështimin në edukimin e të rinjve dhe sigurisë së jetës e tyre, brenda apo afër shkollave. Njësoj si të ishte ende në fushatë elektorale, Kushi foli më shumë për punën që do bëjë ministrija e saj sesa për një adoleshent që u masakrua me thikë pasi doli nga mësimi.

Jam thellësisht e tronditur nga ngjarja e ndodhur sot në Gramsh, ku një adoleshent ka humbur jetën si pasojë e një konflikti me bashkëmoshatarët e tij. Pavarësisht se kjo ngjarje ka ndodhur në rrugë, jashtë mjediseve të shkollës, institucionet tona arsimore, së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese, prindërit dhe familjet, duhet të forcojmë më shumë bashkëpunimin për të luftuar fenomenet negative tek fëmijët dhe të rinjtë, të cilat çojnë në ngjarje të tilla të rënda. Një nga prioritetet në sistemin tonë arsimor është forcimi i sigurisë në shkolla, për të cilën punojmë fort duke rritur nga viti në vit numrin e punonjësve të shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë, si dhe duke i trajnuar ata dhe mësuesit në mënyrë të vazhdueshme. Megjithatë, ne duhet të reflektojmë të gjithë si shoqëri që të rrisim vigjilencën për të parandaluar, identifikuar dhe menaxhuar raste të konfliktit në shkollë, familje dhe kudo tjetër. Shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen e adoleshentit, duke shpresuar që të mos kemi kurrë më ngjarje të tilla” – tha ministrja e arsimit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit